Lajme

Memorial për Përkujtimin e Personave të Zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë - Shpallja e projektit fitues

28.02.2025, 16:39

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) dhe Qendra Burimore për Personat e Zhdukur (MPRC) kanë kënaqësinë të shpallin projektin fitues në thirrjen ndërkombëtare të hapur për krijimin e një vepre arti në hapësirë publike, në kujtim të Personave të Zhdukur si rezultat i luftës në Kosovë (1998–2000).

Në përzgjedhjen e projektit fitues FDHK angazhoi një juri profesionale të përbërë nga Shkëlzen Maliqi (KS) filozof, kritik arti dhe analist politik, Donjetë Murati (KS) kuratore dhe hulumtuese e artit, Raino Isto (US) kritik dhe historian i artit, Nataša Božilović (KS) përfaqësuese nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur dhe Blerta Hocia (ALB) kuratore nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë. Duke u bazuar në vlerat artistike dhe konceptuale të veprës, si dhe në mënyrën se si ajo ndërlidhet me temën, juria zgjodhi veprën “Pema e Jetës” nga artistët Dea Gjinovci dhe Armand de Benoist de Gentissart si projektin fitues.

Ky projekt shërben jo vetëm për të ruajtur kujtimin, por edhe për të inkurajuar reflektimin dhe dialogun. Vepra krijon një hapësirë ku familjet, fqinjët dhe vizitorët mund të takohen, të ndajnë historitë e tyre dhe të ndihen më pak të vetmuar në dhimbjen e tyre duke e bërë këtë monument jo vetëm një vend përkujtimi, por një strukturë të gjallë, një testament të përkatësisë, qëndrueshmërisë dhe fijeve të pandara të gjenealogjisë. Ai pohon se të zhdukurit nuk janë humbur nga koha, por mbeten pjesë e pandashme e pemës së familjes.

Kjo nismë është pjesë e projektit: “Forcimi i përpjekjeve për të hedhur dritë mbi fatin e personave të zhdukur në Kosovë”, i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë në partneritet me Qendrën Burimore për Personat e Zhdukur.