Mësoni më shumë rreth Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë

Historia Misioni dhe Vizioni Anëtarët e Bordit Raportet vjetore

Historia

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) vepron si një organizatë e pavarur që nga prilli i vitit 2011. FDH Kosovë vazhdimisht kontribon në aftësimin e Kosovës për të vendosur sundimin e ligjit dhe zbatimin e mekanizmave të drejtësisë tranzicionale, në mënyrë që të zhvilloj një shoqëri të drejtë që përballet me të kaluarën dhe respekton të drejtat e çdo qytetari.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) Kosovë është themeluar në Prishtinë në maj të vitit 1997, nga aktivistja e të drejtave të njeriut znj. Natasha Kandiq, si degë e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë vepron si një organizatë e pavarur që nga prilli i vitit 2011. FDH Kosovë vazhdimisht kontribon në aftësimin e Kosovës për të vendosur sundimin e ligjit dhe zbatimin e mekanizmave të drejtësisë tranzicionale, në mënyrë që të zhvilloj një shoqëri të drejtë që përballet me të kaluarën dhe respekton të drejtat e çdo qytetari.

FDH Kosovë punon me dokumentimin e fakteve që ndihmojnë shoqërinë e Kosovës të ballafaqohet me të kaluarën e saj të dhunshme. Organizata synon, t‘i kundërvihet mohimit dhe manipulimit politik të humbjeve njerëzore, dhe sigurimit të integritetit dhe transparencës së gjykimeve të krimeve të luftës.

Deri në shpërthimin e armiqësive midis forcave të sigurisë serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shkurt të vitit 1998, FDH Kosovë ishte i fokusuar në dokumentimin e represionit policor ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke hetuar rastet e torturës, ndalimit të paligjshëm, ftesave masive të shqiptarëve për “biseda informative”, dhe gjykimet politike. Pas intensifikimit të konfliktit, FDH Kosovë zhvendosi vëmendjen në dokumentimin e vrasjeve dhe zhdukjeve të shqiptarëve të Kosovës, si dhe zhdukjen e grupeve të tjera etnike. Pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, FDH ka lëvizur zyrën e saj në Mal të Zi, ku ka vazhduar punën e dokumentimit me shqiptarët e Kosovës të cilët ishin dëbuar nga Kosova. Me arritjen e marrëveshjes së paqes të vitit 1999, që i dha fund luftës, FDH Kosovë u kthye në Prishtinë dhe filloi dokumentimin e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë ndërhyrjes së NATO-s. Pas vendosjes së administratës ndërkombëtare në Kosovë, FDH Kosovë filloj të hetoj rrëmbimet, zhdukjet dhe vrasjet e serbëve, ashkalinjëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Sot, FDH Kosovë vazhdon përpjekjet e saj për monitorimin e procedurave gjyqësore në lidhje me pasojat e konfliktit të fundit. Përveç monitorimit dhe raportimit mbi gjykimet, FDH Kosovë përfshihet në mënyrë aktive në gjetjen e viktimave dhe përfaqëson familjet e tyre në gjykatat në Kosovë dhe Serbi. Elementi i tretë themelor i aktiviteteve të FDH Kosovë është përhapja e njohurive mbi drejtësinë tranzicionale brenda komuniteteve profesionale dhe jo-profesionale.

Misioni ynë

Të mbështesë zbatimin e një kornize të drejtësisë tranzicionale në Kosovë e cila është tërësore, gjithëpërfshirëse dhe e përqendruar në viktima në mënyrë që të kontribuojë në ndërtimin e paqes dhe ndërtimin e shtetit në Kosovë.

Vizioni ynë

Një shoqëri demokratike që merret me të kaluarën e saj dhe angazhohet në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët demokratike dhe të bazuar në të drejta.

Anëtarët e bordit

Nataša Kandić

Nataša Kandić, themeluesja e FDH-së, është laureat i më shumë se 20 çmimeve ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare për të drejtat e njeriut. Në vitin 2000, ajo u nderua me çmimin Martin Ennals, që paraqet mirënjohje prestigjioze për mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Në vitin 2003, gazeta “Time” e vendosi Nataša Kandićin në mesin e 36 heronjve evropian. Në vitin 2004, Fondacioni “Njerëzit në Nevojë” e nderoi atë dhe FDH-në me çmimin e tyre “Homo Homini”. Në vitin 2005, Nataša Kandić u shpall qytetare nderi e Sarajevës, kurse gazeta “Bosnja e Lirë” e zgjodhi atë njeriun e vitit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në shtator të vitit 2006, Natasha Kandiq u bë anëtare e Urdhrit të Yllit të Mëngjesit Kroat të Katarina Zrinska, të cilin Kryetari i Kroacisë ua jep individëve që kanë dhënë kontribut të madh për promovimin e vlerave morale. Në mars të vitit 2007, Nataša Kandić u bë anëtare e Bordit Ndërkombëtar Këshillues të Revistës Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale (Oxford University Journals), kurse në gusht të vitit 2008, ajo u ftua t’i bashkohet Këshillit Konsultativ të Qendrës Weiser të Universitetit të Miçiganit për Demokracitë që po lindin. Instituti Kosovar i paqes, në nëntor të vitit 2012 ja ndau Nataša Kandićit çmimin për “Paqe, Punë të Jashtëzakonshme dhe Kontributin në Pajtimin mes Popujve në Rajon”. Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut në Serbi e shpërbleu atë me çmimin e festivalit “Ditët e Sarajevës në Beograd”, ndërsa në fund të të njëjtit vit ajo u shpërblye me çmim “Hrant Dink”, nga Fondacioni Turk.

më shumë
Ismet Hajdari

Ismet Hajdari është gazetar me shumë vite eksperiencë. Z. Hajdari ka përfunduar Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Prishtinës dhe pastaj ka përfunduar specializimin në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave politike në South Eastern European University (SEEU) në Tetovë. Gjatë karrierës së tij të pasur si gazetar, ai ka punuar për gazetën e përditshme “Nasa Borba” dhe si reporter në Associated Press gjatë konfliktit në Kosovë. Ai gjithashtu ishte korrespodent për Kosovën në Radio Evropa e Lirë, ku më vonë punoi si redaktor në gjuhën shqipe. Z. Hajdari për një periudhë të caktuar kohore ishte zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës dhe ai së fundmi punon si korrespodent kosovar për RWB dhe AFP. Ai është gjithashtu ligjërues në Kolegjin ISPE në Prishtinë.

më shumë
Vjollca Krasniqi

Dr. Vjollca Krasniqi është sociologe. Ajo ka përfunduar doktoraturën në Universitetin e Ljubljanës, ka diplomë MA në Gjininë, Zhvillimin dhe Globalizimin nga Shkolla e Ekonomisë në Londër, si dhe e diplomuar në BA -Filozofi dhe Sociologji nga Universiteti i Prishtinës. Ajo është asistent profesoreshë në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës. Gjithashtu edhe bashkëdrejtuese e programit Universitar për Studime Gjinore dhe Kërkime. Ajo ka shkruar për zhvillimet politike, sociale dhe gjinore në Kosovë. Aktualisht është e angazhuar në disa projekte ndërkombëtare kërkimore për drejtësinë e pas luftës, informalitetin, migrimin dhe të drejtat e njeriut, gjininë dhe arsimin.

më shumë
Mario Mazhiq

Mario Mazhiq është avokues për të drejtat dhe demokracinë për më shumë se 15 vite. Ai drejton kompaninë e konsulences “Europe&Southeast” me seli në Zagreb, Kroaci. Mario është edhe Këshilltar Strategjik në Fondacionin Robert Bosch në Berlin, Gjermani; iniciues i Rrjetit të Rinisë Politike i cili mbledh liderë të rinj politikë nga vendet e ish-Jugosllavisë; bashkëthemeluesi i Arterarij, një organizatë me bazë në Zagreb, që promovon tolerancën përmes arteve; Kryetar i Bordit në Qendrën Kombëtare për Paqe dhe Zhvillim në Kabul, Afganistan si dhe ekspert i Iniciativës për Ballkanin Perëndimor në Institutin Ndërkombëtar për Paqe me qendër në Vjenë, Austri. Ai ka magjistruar në Zhvillimin Ndërkombëtar dhe Politikën në Universitetin e Çikagos në Harris Shkolla e Studimeve të Politikave Publike dhe është pjesë e kohortës inauguruese të Studiuesve të Fondacionit Obama. Ai gjithashtu ka një diplomë Bachelor në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Ndërkombëtar Libertas në Zagreb dhe ka ndjekur lëndë edhe në Universitetin e Zagrebit, Universitetin e Oslo-s, Universitetin Northwestern dhe Universitetin e Beogradit. Në vitin 2012 ishte bursist i Institutit për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në Nju Jork. Ai themeloi dhe udhëhoqi Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kroaci në Zagreb, organizatë joqeveritare e fokusuar në pajtimin dhe drejtësinë tranzicionale, përgjatë viteve 2008 dhe 2018. Në vitin 2019, në emër të kësaj organizate, Mario mori çmimin kombëtar francez për të drejtat e njeriut 'Liberté , Egalité, Fraternité' për projektin "Tregimet e përbashkëta", i cili mbështet pajtimin duke kaluar barrierat në narrativat përçarëse midis të rinjve në shoqëritë ish-jugosllave. Gjatë viteve 2019 dhe 2023, ai punoi si Këshilltar i Lartë i Programit në Fondacionin PeaceNexus në Prangins, Zvicër. Për dy vjet (2015-17) ai drejtoi përpjekjet e Fondacionit Reach for Change në Kroaci si Menaxher dhe përfaqësues i saj vendor. Që nga viti 2020, Mario është bursist i Shoqërisë Mbretërore të Arteve (Londër, MB).

më shumë
Arjeta Spahiu

Arjeta Spahiu ka karrierë profesionale 19 vjeçare në Organizatat Ndërkombëtare, duke shërbyer në role të ndryshme si Këshilluese Ligjore në Menaxhim të lartë brenda Misionit. Fillimisht ajo ka punuar për OJQ-të si IMC dhe Qendra për të Drejtën Humanitare, ndërsa për 16 vitet e fundit ka punuar me Misionet e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së fillimisht në Maqedoninë e Veriut me EUPOL Proxima dhe EUPT Maqedoni, ndërsa 10 vitet e fundit ajo shërbeu si eprore Këshilltar Ligjor për EULEX në Kosovë. Në vitin 2014, Arjeta themeloi një kompani konsulence në Kosovë “Advoco Solutions” duke ofruar trajnime, stërvitje dhe ekspertizë juridike. Zonja Spahiu ka një diplomë juridike nga Universiteti i Prishtinës dhe një diplomë master në Administrim të Biznesit nga Universiteti i Sheffield, MB. Zonja Spahiu është Trainere Profesionale e certifikuar nga Instituti i Ekselencës Profesionale në Trajnime, Washington D.C. dhe Federata Ndërkombëtare e Trajnerëve. Ajo gjithashtu është Drejtuese dhe Menaxhere në Institutin për Trajnim dhe Zhvillim në Universitetin Amerikan në Kosovë / Rochester Institute of Technology. Ajo ofroi Shërbime Trajnimi për personelin administrativ të Parlamentit të Kosovës, sipas Projektit “Mbështetje për Procesin e Integrimit të BE-së në Kosovë”, financuar nga Agjensia Gjermane e Zhvillimit GIZ “Gesellschaft fur Internationale Zusammenarbeit”. Arjeta është përfaqësuese e kompanisë me qendër në SHBA, Ken Blanchard, për Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ajo shërbeu 2 vite me radhë si Anëtare e Bordit në Dhomën Amerikane të Tregtisë në Kosovë dhe u rizgjodh edhe për vitin e 3-të.

më shumë
Admir Salihu

Admir Salihu punon si avokat që nga viti 2010. Ai filloi karrierën e tij si gazetar në Radio Tema, Ferizaj, dhe pas kësaj ai ishte Drejtori Ekzekutiv i Forumit Demokratik për Shoqërinë Civile nga 2003 deri 2006. Admir Salihu ishte i angazhuar nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Kosovë për të përfaqësuar viktimat para gjykatës serbe. Z. Salihu ka diplomë juridike nga Universiteti i Prishtinës. Ai ka punuar si Asistent Avokat në Zyrën e Avokatëve ‘Avni Ibrahimi’ dhe si Asistent i Programit në Forumin për Iniciativën Qytetare. Që nga viti 2010 deri në vitin 2011 ai ka punuar si Menaxher i Programit në Nismën për Progres. Për tri vite ai punoi si Këshilltar Ligjor / Avokat në Lëvizjen Fol. Ai aktualisht drejton Zyrën e Avokatisë Ligjore ‘Fer Lex’ në Ferizaj. Ai është i regjistruar në Odën e Avokatëve të Kosovës që nga viti 2013.

më shumë
Kushtrim Palushi

Kushtrim Palushi është partner themelues i RAMAJ & PALUSHI LLC. Është avokat me specializime dhe përvojë në të drejtën e punës, atë administrative dhe rregullatore, krimet e jakave të bardha dhe pajtueshmërinë, të drejtën penale, të drejtën kushtetuese, të drejtat e njeriut, të drejtën ndërkombëtar penale, përfaqësim gjyqësor dhe arbitrazh. Kushtrimi ka përvojë të dëshmuar para gjykatave dhe organeve administrative të Kosovës, ku ka bërë përfaqësim gjyqësor ku ka arritur rezultate të konsiderueshme për klientët institucionalë, bizneset dhe individët. Para se t’i bashkohej RAMAJ & PALUSHI, Kushtrimi ka punuar si specialist për strategji të përfaqësimit për SEJDIU & QERKINI LLC, si pjesë e Partneritetit të Fushatës Drejtësi dhe Njerëz, duke ngritur dhe përfaqësuar raste strategjike para gjykatave të Kosovës duke u angazhuar për ndryshimeve sistemore brenda sistemit të drejtësisë. Kushtrimi ka diplomuar në Shkollën Juridike të Universitetit të Notre Dame me gradën Master i Drejtësisë (LL.M.) me specializime në të drejtën ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare penale dhe arbitrazh. Ai ka diplomë Baçelor në Drejtësi (LL.B.) nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Juridik në Kosovë. Ai është trajner i certifikuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe Iniciativa për Sundim të Ligjit e Odës Amerikane të Avokatëve dhe ofron trajnime për avokatët dhe praktikuesit e tjerë të ligjit, shoqërinë civile dhe studentët. Para fillimit të ushtrimit të profesionit në drejtësi, Kushtrimi ka punuar mbi pesë vjet në sektorin e shoqërisë civile në Kosovë si këshilltar ligjor dhe në poste të ndryshme drejtuese. Ai gjithashtu ka punuar me programin e USAID-it Sistemi për Zbatimin e Kontratave dhe të Vendimeve (SEAD) në funksionalizimin e procedurave për zbatimin e vendimeve të gjykatave si dhe në prezantimin e mekanizmave për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve (ADR) në Kosovë. Kushtrim ka marrë mirënjohje dhe çmime të shumta, siç është bursa për studentëve të huaj Fulbright nga Departamenti Amerikan i Shtetit, çmimi kombëtar për drejtësi “Sali Çeku” nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës, referencën e nderuar në 18 Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot.

më shumë

Lexoni raportet tona vjetore