Dje, më 10 tetor 2024 në hapësirat e Qendrës së Dokumentimit Kosovë u hap ekspozita ‘Andrrat i shoh te shpia e vjetër’ nga autorja Bleona Kurteshi. Puna e saj, larg narrativave madhështore dhe heroike të luftës, e fton publikun që të çmojë edhe ato histori të vogla personale që të bashkëndara, vetvetiu shndërrohen në universale.
Çfarë janë ëndrrat përvecse disa copëza kujtimesh të magazinuara diku thellë në nënvetëdije. Ashtu si disa kolazhe absurde dhe surreale ato miksohen dhe formojnë kuptime të reja të pakapshme, të pakuptueshme dhe shpesh herë të ankthshme. Çfarë mbetet është vetëm ajo ndjesi e nostalgjisë por edhe e frikës që herë pas here i gjen format për të dalë në sipërfaqe, e ndrydhur nën mijëra shtresa të gënjeshtrave të së ardhmes, të rindërtimit e të një jete të re. Gërmadhat e dikurshme bëhen shtroje të ngrohta dhe skenografi e ëndrrave të reja.
Puna e prezantuar nga Bleona Kurteshi i përket një lloj jete të së kaluarës. Nuk është kjo një formë e prapambetjes dhe të jetuarit në të shkuarën, por më shumë i ngjan meditimit. Nuk është aq një vështrim mbrapsht sa është një vështrim brenda, në introspeksion.
Hulumtimi përbëhet prej 10 intervistave gjysëm të strukturuara ku synimi kryesor për autoren ka qenë që të nxjerrë në pah një diskutim jo shumë të prekur në nismat memorializuese të Kosovës së pas luftës; e që është trashëgimia e luftës dhe mungesa e gjurmëve fizike të saj, ku shtëpi dhe fshatra të tëra të djegura nga ofanzivat e ushtrisë serbe janë rindërtuar nga e para pa lënë mbrapa pothuajse asnjë shenjë. Por a është kjo plotësisht e vërtetë?
Dalëngadalë duke hyrë në kontakt me intervistuesit dhe detajet e jetës së tyre, kuptojmë se disa gjurmë fare të vogla kanë mbetur kudo. Për vetë autoren e këtij hulumtimi është një stub i mbetur si pykë nga shtëpia e vjetër që gjyshja nuk ka pranuar kurrsesi ta rrëzojnë, i cili shpesh herë edhe e pengon hyrjen në oborr, por ai qëndron aty si një kujtesë e gjallë, trashëgimi e asaj që ka ndodhur. Në një rrëfim tjetër është një dhomë e shtëpisë së dikurshme e mbetur e vetme në mes të oborrit e cila nuk e zbukuron oborrin dhe as pamjen e shtëpisë së re por është i vetmi vend ku rrëfyesi mund të flejë rehat, nën zërin e familjareve dhe rrethuar me mobiljet e vjetra që ai i mban në mend të gjalla si dikur. Fatkeqësisht në raste të tjera gjurmët e mbetura janë vetëm ato të kujtesës dhe duke u nisur nga kjo, vendosëm të bashkëpunojmë me një skulptor të ri, Ardit Berisha i cili sipas përshkrimeve ka arritur të ngjizë nga balta ato mure të ëndrrave.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për rreth një muaj dhe vjen si vazhdimësi e thirrjes për projekte që kanë në fokus ballafaqimin me të kaluarën nëpërmjet veprave dhe krijimeve artistike.
Mbështetur nga: Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme dhe NED.