Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, si pjesë e KOMRA (rrjetit rajonal për vërtetimin e fakteve), mbajtën të dielën në Hotel International Prishtinë ditën e dytë të ‘Forumit për Drejtësi Tranzicionale në Vendet Post-Jugosllave’, i cili përmbante një sërë panelesh dhe vizitë te familjet Bogujevci dhe Duriqi, si dhe në varrezat e viktimave të Masakrës së Podujevës.
Forumi i XVI për Drejtësinë Tranzicionale ka paraqitur edhe promovimin zyrtar të vëllimit të dytë të Librit të Kujtesës së Kosovës, “Dinjiteti për të zhdukurit” (1998-2000).
Aktivitetet te dielen nisën me panel me disa përfaqësues nga organizatat kryesore joqeveritare rajonale.
Nenad Golçevski, kreu i Fondit për të Drejtën Humanitare, theksoi se “një pjesë shumë e rëndësishme e pajtimit është krijimi dhe shfrytëzimi i mundësisë që njerëzit nga anët dhe grupet e ndryshme etnike të jenë në gjendje të diskutojnë për çështjet që i prekin ata”.
“Diskutimet e hapura presupozojnë që ka vullnet të mirë për të gjetur gjuhë të përbashkët,” vazhdoi ai.
Bekim Blakaj, kryetar i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka reflektuar për kritikat e shpeshta me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e shoqërisë civile nga të gjitha anët e spektrit politik.
“Shoqëria civile sigurisht që ka mangësitë e saj dhe sigurisht që ka bërë gabime, por ne kemi mësuar shumë në këtë proces. Mirëpo, përkundër gjithë kësaj, shoqëria civile në rajon ka qenë e aftë që ta zë hapësirën që e kanë lënë bosh institucionet tona, sidomos në aspektin e drejtësisë tranzicionale”, ka përfunduar Blakaj.
Vesna Teršelič nga Documenta thotë se organizatat joqeveritare në Kroaci e kanë pasur të vështirë të ruajnë të njëjtin interes në iniciativat e drejtësisë tranzicionale pasi ato u bënë vendi i fundit ballkanik që iu bashkua Bashkimit Evropian.
“Në Kroaci, ne gjetëm interes dhe financim për t’u marrë me drejtësinë tranzicionale përpara se ajo të hynte në BE. Tani që Kroacia është anëtare e BE-së, njerëzit e konsiderojnë këtë temë një punë të përfunduar dhe është pothuajse e pamundur të gjesh mbështetje për të vazhduar këtë proces të papërfunduar”, tha ajo.
Diskutimi i dytë i ditës u fokusua në atë se si përvoja dhe praktikat më të mira në avancimin e drejtësisë tranzicionale në zonat post-jugosllave mund të zbatohen në konflikte si Ukraina dhe Gaza.
Heleen Habraken, një analiste e krimeve ndërkombëtare me përvojë të gjerë në Ukrainë, tha se “TNPJ bëri shumë përpjekje për t’u treguar gjykatësve dhe komunitetit më të gjerë se këto janë krime që janë kryer si pjesë e strategjive politike dhe si rezultat të abuzimit të pushtetit nga njerëzit në pozitat e larta politike”.
Jean-Daniel Ruch, analist dhe ish-ambasador në Serbi, Izrael dhe Turqi, si dhe ish-këshilltar i kryeprokurores të TNPJ-së Carla del Ponte, tha “e vetmja gjë që mësova është se emocionet, zemërimi që shkaktojnë këto krime, janë karburanti që duhet të përdorim për të na shtyrë të luftojmë për gjyqe, zgjidhje dhe për t’i dhënë fund luftimeve.”
“Srebrenica është pranuar gjerësisht si gjenocid vetëm falë gjykimeve në TNPJ,” vazhdoi Ruch. “Nuk ishte gjithashtu drejtësia e fituesit, TNPJ shikoi të gjitha skenat e krimit dhe ndoqi penalisht njerëz të të gjitha etnive.”
Në pjesën e dytë të ditës, pjesëmarrësit e forumit udhëtuan për në Podujevë për të vizituar vendin e vrasjes së 14 civilëve shqiptarë, kryesisht gra dhe fëmijë, ngjarje e cila ndodhi më 28 mars 1999 dhe u krye nga Akrepat, një organizata paraushtarake serbe, dhe nga Njësia Speciale Antiterroriste e Serbisë gjatë konfliktit në Kosovë.
Të pranishmit i pritën Enver Duriqi, Shemsi Duriqi dhe Selatin Bogujevci me vajzën e tij Jehonen. Enveri dhe Selatini rrëfyen ngjarjet e ditës tragjike të marsit, kur gjithsej 14 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu u vranë dhe fëmijët e vegjël dhe se si të mbijetuarit, mes tyre edhe Jehona, u plagosën rëndë nga plagët me armë zjarri.
Anëtarët e familjes Bogujevci gjithashtu i çuan pjesëmarrësit e Forumit në Parkun e Paqes në Mançester, një iniciativë humanitare që ndërtoi terrenin për aktivitete të ndryshme për të nxitur përvoja pozitive për vendasit dhe për t’i ndihmuar ata që të kapërcejnë vështirësitë e konfliktit.
Aktivitetet e Forumit përfunduan me një vizitë në një ekspozitë në qendër të Prishtinës të titulluar “Mbulimi mediatik i luftës”, duke fokusuar rolin e raportimit ndërkombëtar dhe lokal në informormimin e publikut e gjerë.