Dje më 11 korrik 2024, u hap në hapësirat e Qendrës së Dokumentimit Kosovë, ekspozita ‘Një Ditë’ e cila kërkon të rindërtojë një ditë të luftës në Kosovë. Kjo ditë e cila përkon me datën e 2 majit 1999, rrëfehet përmes detajeve dhe fragmenteve vizuale të treguara nga të mbijetuarët e ngjarjeve të atyre 24 orëve. Si çdo ditë edhe dita e rindërtuar në hapësirën fizike të ekspozitës, nis me dritën e agimit dhe ndërkohë që vizitori e përshkon labirintin e llamarintë ku një nga një shfaqen rrëfimet, hyn në terrin e asaj nate të 2 majit të vitit 1999 ku i vetmi burim drite është hëna e plotë e rrëfimit të njërës nga të mbijetuarat e masakrës së Studimes, zonja Bahrije Gërxhaliu.
Në fjalën hyrëse drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë, z. Bekim Blakaj përshëndeti të pranishmit dhe u dha mundësinë e një fjalë të rastit ambasadorit te Zvicrës në Kosovë z. Jürg Sprecher dhe ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë z. Jonathan Hargreaves, të cilët shprehën interesimin dhe gatishmërinë për të qenë mbështetës të ngjarjeve të tilla që kanë në fokus ballafaqimin me të kaluarën.
Kemi dëshirë të falenderojmë të gjithë stafin, artistët dhe bashkëpunëtorët tanë të cilët bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite, si dhe një falenderim i vecantë shkon për ata persona që ndanë rrëfimet dhe përjetimet e dhimbshme të luftës me ne dhe me të gjithë publikun e kësaj ekspozite.
Realizimi i kësaj ekspozite është mbështetur nga: Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme, National Endowment for Democracy (NED), Ambasada Britanike në Prishtinë, UNDP Kosovo dhe Komuna e Prishtinës.