Më 13 maj 2019 u hap në hapësirat e Qendrës së Dokumentimit Kosovë, ekspozita ‘Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë’. Kjo ekspozitë fillimisht ishte paraparë të qëndronte e hapur për një periudhë një vjeçare, kohëzgjatje kjo për të cilën edhe ishim marrë vesh gjatë hulumtimit dhe mbledhjes së gjësendeve për ekspozitë me familjarët e fëmijëve. Për ne ka qenë dhe është
thelbësore që përmbajtja dhe reprezentimi i ekspozitës në tërësinë e saj tu përgjigjej së pari pritshmërive të familjarëve të viktimave dhe të ngjallë empati dhe dialog në publikun e gjerë.
Vështirë të përshkruhet reagimi kolektiv ndaj ekspozitës në ditën e hapjes; në pak çaste hapësira e ekspozitës u shndërrua në një vend kujtimi dhe shprese për shërim.
Mbas një viti jo vetëm që ekspozita nuk u mbyll, por ajo u zgjerua me rrëfimet dhe gjesendet e tjera të fëmijëve, të sjella nga familjarë të tjerë, të cilët edhe pse në shumë raste i kanë të vetmet sende per t’i kujtuar më të dashurit e tyre, vendosen të ishin në ekspozitë si dëshmi e pashlyeshme të jetëve të ndërprera.
Në këto 5 vite me mijëra vizitorë e delegacione të huaja kanë arritur të njihen me këtë rrëfim të rëndësishëm mbi luftën. Ekspozita do të vazhdojë të jetë e hapur për publikun në Bibliotekën e qytetit ‘Hivzi Sulejmani’ në Dardani deri në gjetjen e një hapësire të re e më të përshtatshme.