Lajme

U hap ekspozita 'Dita e Re' nga Barbara Prenka

28.10.2023, 14:28
Ditën e premte, 27 tetor, FDHK pati kënaqësinë të prezantojë punën e artistes Barbara Prenka në hapjen e ekspozitës ‘Dita e Re’ në Qendrën e Dokumentimit Kosovë. Puna e Barbarës vjen si rezultat i thirrjes për projekte artistike që në fokus kanë ballafaqimin me të kaluarën.

‘Në njërën prej këtyre fotografive, një qilim që dikur e zbukuronte shtëpinë e hallës sime ishte djegur nga ushtria serbe.Ky qilim u bë pikënisja e projektit tim, sepse simbolizonte një jetë para luftës, një moment që u ndërpre brishtë nga lufta dhe që unë përpiqesha ta ringjallja nga hiçi i atij qilimi të djegur nga flakët.’

Për kujtimet duhet kohë dhe tregimet i shërbejne një procesi të shërimit dhe afrimit midis brezave. Ky është edhe qëllimi i artistes Barbara Prenka në këtë ekspozitë. Puna e saj është një proces zbulimi dhe gërmimi në historitë e kaluara ku me anë të rrëfimeve të gjyshes, të nënës dhe të hallave ajo arrin të rikrijojë rrugën e përshkuar nga familja e saj gjatë luftës.

Çdo gjë nis me një arkivë të vogël të fotografive familjare. Është e habitshme se si në tmerrin dhe ankthin e dëbimit nga shtëpitë e përflakura bashkë me ato pak sende jetike të shpëtuara me nxitim të gjenden edhe fotografitë familjare. Artistja tregon se ai ishte një veprim i natyrshëm, një përpjekje për të mbrojtur kujtimet e vendlindjes nga shkatërrimi i luftës dhe për të marrë me vete një fragment nga një kohë për të cilën nuk dihej nëse do të vinte me mundësia për ta gjetur përsëri.

Më pas, artistja vendos që këto fotografi të rigjetura, ti kthejë në qilima të vërtetë, duke i printuar ato në tekstil. Procesi i krijimit të tyre përfshin vendosjen manualisht të një fijeje brenda një tekstili të perforuar; kjo është një teknikë e vjetër tradicionale që është praktikuar nga gratë kosovare gjatë periudhës para-martesore kur krijojnë qilima të quajtura "Jani" si pjesë e qeizit martesor. Printimi i këtyre fotove ka për qëllim të lidhë imazhet me një traditë që është trashëguar nga një brez në tjetrin, duke e transformuar kështu qilimin në një objekt që tregon histori.

Puna e Barbarës nuk përfundon vetëm në kriijimin e qilimave por shndërrohet në një performancë e cila dokumentohet hap pas hapi pasi ajo fokusohet në natyrën bashkëvepruese të kësaj pune dhe në forcimin e marrëdhenies midis grave të familjes të cilat artistja i përfshin në mënyre aktive saqë edhe puna mund të themi se bëhet një vepër kolektive.

Vizitori në këtë ekspozitë do të ketë mundësinë ti afrohet këtyre tregimeve përmes videove që kanë një efekt hipnotizues, ato kanë aftësinë të gozhdojnë shikuesin në një gjest të pafund, atë të lidhjes një nga një të mijëra fijeve të janit që pak nga pak i largohen abstragimit e krijojnë figurat e heshtura të fotografive të së kaluarës.

E gjithë kjo e shoqëruar njëherë me zërin e thellë të gjyshës, të nënës e të hallës që rrëfejnë për rrugën e gjatë që i mban të gjithë refugjatët e luftës, për plagët, për miellin e për bukën, për mikpritjen e solidarizimin midis njerëzve.

Në mënyre analoge fijet që lidhin qilimin, dikur të djegur, vazhdojnë të lidhin marrëdhëniet midis brezave, të shkuarën, të tashmen dhe ditën e re që do të vijë.

‘Dita e Re’ është realizuar në bashkëpunim me Brigita Gecaj, Zoja Markaj, Leze Quni, Marija Prenka dhe Roza Prenka.

Kjo vepër është pjesë e ekspozitave të organizuara nga Qendra e Dokumentimit Kosovë dhe ka si qëllim ballafaqimin me të kaluarën nëpërmjet veprave dhe krijimeve artistike.

Vepra do të qëndroj e hapur për një muaj dhe mbështetet nga Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme.