Dje, më 14 qershor 2023, u hap në Qendrën e Dokumentimit Kosovë, ekspozita Në Pah me fotografi nga Dashnor Ajeti. Kjo seri e fotografive me anë të portreteve të realizuara kërkon të nxjerrë në pah historitë dhe tregimet e invalidëve civilë të luftës në Kosovë. E vërteta e secilit portret të fotografuar nuk shfaqet lehtë kudo, ajo qëndron diku nën lëkurë bashkë me ciflat e xhamit që kanë mbetur si shenja të pashlyeshme të së kaluarës. Ajo huton në vështrimin që s’ka më dritë
vetë por është bërë një pasqyrë ku reflektohet dielli. Në protezën e personalizuar me një portret të të mbijetuarit kur ishte fëmijë. Në ambientet shtëpiake ku mangësitë dhe vështirësitë ndoshta janë më të përballueshme, për shkak të ngrohtësisë familjare.
Ekspozita Në Pah vjen si rezultat i thirrjes së hapur për projekte artistike që ballafaqohen me të kaluaren - DwP Creations ku nëpërmjet granteve të vogla Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka synim inkurajimin e artistëve të rinj në krijimin e veprave artistike që trajtojnë temat e së kaluarës. Ekspozita do të jetë e hapur cdo ditë pune në Qendrën e Dokumentimit Kosovë për një muaj.
Mbështetur nga: Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme.