Thirrje e hapur

Thirrje e Hapur për Vepër Arti në Hapësirë Publike

23.10.2024, 10:13

Një mundësi për artistët dhe grupet e artistëve nga mbarë bota për të aplikuar në Thirrjen e Hapur, e cila ka për qëllim realizimin e një vepre arti që krijohet në kujtim të Personave të Zhdukur si rezultat i luftës në Kosovë (1998–2000). 

Memorial për Përkujtimin e Personave të Zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë 

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) dhe Qendra Burimore për Personat e Zhdukur kanë kënaqësinë të ftojnë artistë dhe grupe artistësh të marrin pjesë në thirrjen ndërkombëtare të hapur për krijimin e një vepre arti në hapësirë publike në Kosovë, që synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi çështjen e personave të zhdukur, të përkujtojë dhe të inicojë një dialog për këtë temë. FDHK do të formojë një komitet selektues për të zgjedhur veprën artistike fituese duke i dhënë përparësi gjithëpërfshirjes, qasjes së bazuar te viktimat, krijimtarisë dhe qasjes ndërdimensionale.

Memoriali do të realizohet në hapësirën publike të qytetit të Prishtinës ose në një qytet tjetër të Kosovës.

FDHK fton artistët e interesuar të dërgojnë dokumentet e mëposhtme në [email protected]:

1. CV & Portfolio

2. Ilustrim i idesë së konceptit, pra vizualizimi përmes vizatimeve, materialeve vizuale ose animacioneve që përfshijnë hapësirën përreth (PDF deri në 2 MB)

3. Koncepti, prezantimi i projektit me një shpjegim të rëndësisë dhe ndikimit të tij në hapësirën publike (max. 2,500 karaktere)

4. Ndarja e buxhetit (nuk duhet të tejkalojë shumën prej 15,000 eurosh) e ndarë në: kostot e realizimit (përfshirë të gjitha shpenzimet për material, transport, montim dhe çmontim, leje, mirëmbajtje dhe PR), pagesat (përfshirë pagesat e artistit dhe menaxhuesit të projektit, teknikët), shpenzime të tjera

5. Kohëzgjatja dhe fazat e zhvillimit të projektit

Ju lutemi të dërgoni propozimet tuaja deri më 22 nëntor 2024.

Rreth nesh:

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë që nga viti 1997 merret me dokumentimin e viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut. Të gjitha aktivitetet e FDHK janë në fushën e Drejtësisë Tranzicionale dhe kontribuojnë në arritjen e drejtësisë për viktimat, në vendosjen e narracionit të saktë mbi luftën, përkrahjen e viktimave në realizimin e të drejtës së tyre në reparacione dhe në edukimin e të rinjve mbi Drejtësinë Tranzicionale. Së fundi, FDHK kontribuon edhe në memorializimin e viktimave të luftës.

Qendra Burimore për Personat e Zhdukur u themelua në Mars 2017 nga përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur shqiptarë dhe serbë të Kosovës dhe është një organizatë unike në Kosovë që bashkon familjet e personave të zhdukur nga të gjitha prejardhjet etnike, duke inkurajuar bashkëpunimin ndërmjet tyre me qëllim të shkëmbimit të njohurive për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në Kosovë. Misioni kryesor i "Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur" është të shërbejë si një kujtesë e vazhdueshme për qeverinë në përmbushjen e detyrimeve të tyre në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur në Kosovë.