RRËFIMET PËR PËRNDJEKJEN E ROMËVE, ASHKALINJVE DHE EGJIPTIANËVE ENDE DËGJOHEN RRALLË.
“Paramendoje…”, thotë Senadi* ndërsa m’i ngul sytë pasi rikujton një ditë vere tejet të rëndësishme para 21 vjetësh. Pastaj hesht.
Ishim takuar para një ore në oborrin e kushëririt të tij, me të cilin janë fqinj në mëhallën rome brenda një fshati me shumicë serbe. Senadi sakaq ma kërkoi letërnjoftimin. Besimi nuk vjen lehtë kur diskriminimi, persekutimi dhe shfrytëzimi janë bërë thuajse pjesë e ADN-së stërgjyshore.
Episodet e frikësimit dhe keqtrajtimit nga policia serbe deri në fund të luftës në 1999 ende nuk i ndahen familjes, ashtu si trauma e periudhës menjëherë pas luftës. As realiteti i ri gjatë dy dekadave të fundit nuk ka qenë as afërsisht i kënaqshëm.
Kushëriri, i njohuri ynë i përbashkët, lehtësoi prezantimin e ndërsjellë dhe Senadi mbushi një orë të tërë duke kallëzuar rrëfimin fill e për pe. Pasi e kreu, ai theksoi seriozitetin e asaj çfarë kishte thënë përmes një ilustrimi.
“Paramendo veten tash duke dalë nga shtëpia dhe dikush të rrëmben në rrugë,” thotë ai. “Je në punë, kryen detyrat e tua dhe rrëmbehesh. Pastaj të vrasin”.
– – –
Në një mëngjes korriku të vitit 1999, katër burra romë — Senadi në të njëzetat, vëllai i vogël dhe dy kushërinj — nisen nga fshati për të shkuar në Prishtinë për punë. Kushtet e rënda të jetesës — të ngjashme me ato sot — i detyronin të merreshin me punë fizike afatshkurtër dhe të atypëratyshme. Atë ditë, një serb i Kosovës i kishte marrë që ta ndihmonin të zhvendosej nga banesa e tij në qendër të Prishtinës.
Senadi kujton që teksa bartnin poshtë orenditë nga kati i epërm, një grup burrash shqiptarë ishin mbledhur para ndërtesës dhe talleshin me ta, duke thënë se po punonin me një serb.
Ushtarët e KFOR-it arrijnë në vendin e ngjarjes. Burri serb i kishte thirrur trupat paqeruajtëse të NATO-s për t’i ofruar siguri gjatë daljes nga Prishtina.
Lufta kishte mbaruar zyrtarisht dhe deri në 900,000 shqiptarë të dëbuar vazhdonin të ktheheshin në shtëpitë e çliruara. Por ndërsa bënin rrugën e kthimit, kishte nisur të shfaqej një realitet i ri plot ndërlikime e zymtësi.
Shumica shqiptare kishte duruar vite të shumta shtypjeje dhe aparthejdi, së bashku me një fushatë sistematike — të orkestruar nga nivelet më të larta të qeverisë serbe dhe asaj jugosllave që kishin pushtet atëkohë — për t’i terrorizuar, për t’i vrarë dhe për t’i dëbuar.
Lexoni artikullin e plotë këtu.