Nesrete Kumnova, drejtoreshë e OJQ-së në Kosovë “Thirrjet e Nënave”, tha të mërkurën se familjet e personave të zhdukur janë të mërzitur që autoritetet e Kosovës nuk i kanë dhënë përparësi çështjes së personave të zhdukur në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja me Serbinë dhe tha se ajo dëshiron të jetë pjesë e delegacionit të Prishtinës.
“Ne këmbëngulim që të jemi pjesë e delegacionit në Bruksel”, tha për BIRN Kumnova, djali i të cilës është ndër personat që u zhdukën gjatë luftës në Kosovë.
“Ne jemi tepër të zhgënjyer sepse kjo çështje, sqarimi i fatit të personave të zhdukur, të njerëzve tanë të rrëmbyer në shtëpitë e tyre dhe në rrugë, duhet të jetë një përparësi”, tha ajo.
Më shumë se 1,600 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, por edhe disa serbë, vazhdojnë të renditen ende të zhdukur nga lufta e Kosovës.
Kumnova akuzoi autoritetet e Kosovës se nuk e kanë marrë seriozisht çështjen.
“Ne kemi 21 vjet që dalim rrugëve, duke kërkuar me të drejtë të afërmit tanë, dhe institucionet tona nuk kanë bërë asgjë për këtë. Ata thjesht kanë folur me mediat dhe më pas e kanë harruar këtë çështje”, pretendoi ajo.
Zyrtarë të lartë nga Serbia dhe Kosova deklaruan në korrik në Bruksel se ishin të gatshëm të ndihmonin njëri-tjetrin për të gjetur eshtrat e njerëzve të zhdukur në luftën 1998-1999.
Por negociatat, të cilat kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve, deri më tani nuk kanë bërë progres në çështjen e personave të zhdukur.
BIRN kontaktoi koordinatorin e Kosovës për dialogun në Bruksel, Skënder Hyseni, por ai e mbylli telefonatën sapo dëgjoi se pyetja kishte të bënte me progresin në negociata të çështjes së personave të zhdukur.
Serbia dhe Kosova nënshkruan gjithashtu marrëveshje të veçanta me SHBA-në muajin e kaluar që i angazhon ato, ndër të tjera, “për të shpejtuar përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar eshtrat e personave të zhdukur”.
Megjithatë, dy javë pasi të dy vendet nënshkruan marrëveshjet në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan Donald Trump, asnjë prej tyre nuk e ngriti çështjen në bisedimet e nivelit të ekspertëve në Bruksel.
Ndërkohë ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç u bë fokus pakënaqësie për shqiptarët e Kosovës për këtë çështje në fund të shtatorit kur ai u përpoq të kritikonte serbët që ndihmonin hetuesit për gjetjen e vendeve të varreve të fshehta të kohës së luftës së viteve 1990.
“Çfarë do të bëjmë me serbët spiunojnë te shqiptarët dhe kroatët, që u thonë gjepura, u tregojnë se atyre ku janë varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë”, tha Daçiç për TV Happy të Serbisë.
Në korrik, Kosova dhe Serbia gjithashtu i kërkuan njëra-tjetrës të hapnin arkivat e klasifikuara të kohës së luftës për të ndihmuar në zbulimin e vendndodhjeve të varreve masive.
Megjithatë, Serbia i ka klasifikuar disa nga arkivat e saj ushtarake si sekrete shtetërore, ndërsa Kosova këmbëngul që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një organizatë guerile, kurrë nuk kishte arkiva ushtarake.
//balkaninsight.com