Komunikata për media

Kërstiqi dhe Shabanaj dënohen për krime të luftës kundër popullatës civile

26.03.2021, 17:56

Pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor në lëndën Prokurori kundër Zllatan Kërstiqit dhe Destan Shabanajt, trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë/Priština, me të cilin ka kryesuar gjyqtari Musa Konxheli[1], e ka sjellë aktgjykimin, me të cilin Zllatan Kërstiqi dhe Destan Shabanaj janë shpallur fajtor për veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile. I akuzuari Kërstiq është dënuar me katërmbëdhjetë (14) vite e gjashtë (6) muaj, kurse i akuzuari Shabanaj është dënuar me shtatë (7) vite burgosje.

I akuzuari Kërstiq është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile nga neni 142 i LP të RSFJ-së, si dhe për shkak të shkeljes së normave ndërkombëtare, shkeljeve të rënda të nenit të përbashkët 3 (1a dhe b) të Konventave të Gjenevës të datës 12 gusht të vitit 1949, si dhe Protokolleve Shtesë të vitit 1977 të Konventave të Gjenevës të cekura, për arsye se si person në uniformë dhe i armatosur, në cilësinë e pjesëtarit të forcave policore të Serbisë, dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të këtyre forcave, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, në datën 26 mars të vitit 1999, rreth orës 20:00, në uniformë dhe i armatosur, ka marrë pjesë në sulmin e drejtpërdrejtë në familjen Nuhaj nga fshati Nerodime e Epërme/Gornje Nerodimlje, komuna e Ferizajt/Uroševac. Sulmi është kryer në atë mënyrë që pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë, duke e përfshirë edhe të akuzuarin e parë, Kërstiqin, në ditën kritike kanë hyrë në oborr, e pastaj, edhe në shtëpinë e Osman Nuhajt, që nuk ka marrë pjesë në konflikt, në të cilën në atë moment kanë banuar nëntëmbëdhjetë (19) anëtarë të kësaj familjeje, në mesin e të cilëve ka pasur edhe fëmijë, gra dhe burra. Me anë të zbatimit të dhunës dhe të terrorizimit me armë, në të cilin ka marrë pjesë edhe i akuzuari Kërstiq, e kanë rrezikuar integritetin personal dhe trupor të civilëve, duke i nxjerrë nga shtëpia, duke i rreshtuar në oborr, ku nën kërcënimin e armëve janë mbajtur një kohë të gjatë, e të cilëve pastaj iu është urdhëruar ta lëshojnë oborrin dhe të nisen drejt fshatit Dramjak/Dremnjak. I akuzuari ngarkohet edhe se në bashkëkryerje ka marrë pjesë në arrestimin e katër (4) anëtarëve të familjes Nuhaj (Osmanit, Bajramit, Agronit dhe Brahimit) si pengje, pastaj edhe në keqtrajtimin e tyre më të egër, në plagosjen dhe në vrasjen me armë të zjarrit. Kufomat e katër civilëve janë hedhur pranë rrugës rajonale Ferizaj/Uroševac - Prishtinë/Priština, në fshatin Babush/Babuš. Gjatë këtij sulmi është plaçkitur dhe është shkatërruar prona e familjes Nuhaj, gjë që nuk ka qenë e arsyetuar me nevojat ushtarake.

Të akuzuarit Kërstiq në dënimin e shqiptuar i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim prej datës 12 prill të vitit 2019, kurse me anë të një vendimi të veçantë kjo masë është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

I akuzuari i dytë, Destan Shabanaj është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile nga neni 142 i LP të RSFJ-së, i cili me veprimet e tij i ka shkelur edhe rregullat e të drejtës humanitare ndërkombëtare kundër civilëve (neni 130, i Konventës së Katërtë të Gjenevës në lidhje me nenin 33 të Protokollit Shtesë të Konventës së cekur; nenit të përbashkët 3 të Konventave të Gjenevës të datës 12 gusht të vitit 1949; si dhe neneve 4 (a), 8 dhe 13, të Protokollit të Dytë Shtesë). Ai, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, në datën 1 prill të vitit 1999, në cilësinë e inspektorit të policisë, i armatosur me pushkë automatike, me qëllim të trajtimit poshtërues dhe çnjerëzor të civilëve të vrarë e me qëllim të fshehjes së provave, e ka urdhëruar varrosjen e katër anëtarëve të familjes Nuhaj (Osmanit, Bajramit, Agronit dhe Brahimit), si dhe të mbetjeve mortore të të vrarit Ismet Ramadanit[2]. Duke vepruar sipas urdhrit të eprorëve të tij, ai ka urdhëruar që trupat e viktimave të cekura, me anë të kamionit të tipit FAP me ngjyrë të gjelbër, të transportohen nga morgu i spitalit të Prishtinës dhe që, pa obduksionet e kryera, të varrosen në varrezat myslimane në Ferizaj/Uroševac. Me urdhrin e tij, me anë të eskavatorit është hapur varreza me madhësinë 2 deri 3 m gjatësi dhe në thellësi 80 cm, në të cilën janë hedhur trupat e viktimave pa dinjitet dhe pa respektim të ritualeve fetare tradicionale, pa u shënjuar se në atë vend gjendet varreza, si dhe pa i pas cekur identitetet e personave të varrosur.

Edhe të akuzuarit Shabanaj në dënimin e shqiptuar i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim nga data 14 qershor e vitit 2019. Me vendim të veçantë i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) e konsideron të pashmangshme për të theksuar se trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë/Priština, pas shpalljes së aktgjykimit dhe shqiptimit të dënimeve për të akuzuarit (dispozitivi i aktgjykimit), nuk ka dhënë kurrfarë arsyetimi të vendimit të vet. Kanë mbetur të panjohura arsyet, kurse në radhë të parë provat, me të cilat është udhëhequr gjykata kur e ka marrë vendimin mbi dënimin e dy të akuzuarve.

Mungesa e arsyetimit të vendimit mbi dënimin është në kundërshtim me nenin 366, paragrafi 2 i KPPRK. Ky nen, midis të tjerash, parasheh që gjyqtari individual ose kryetari i trupit gjykues, pas leximit publik të dispozitivit të aktgjykimit, të kumtojnë shkurtimisht arsyet e aktgjykimit, përkatësisht për provat mbi të cilat e kanë bazuar vendimin e tyre. Po ashtu, është e domosdoshme që me këtë rast të japin edhe rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese, të cilat kanë ndikuar në vendimin që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënimin me burgosje afatgjate. Kodi mbi Procedurën Penale parasheh që arsyetimi me shkrim, i cila i pason kumtimit të saj publik, duhet të jetë në përputhje me aktgjykimin publikisht të shpallur, gjë që në mënyrë plotësuese vetëm sa e përforcon obligimin e gjykatës që krahas dispozitivit të aktgjykimit të jap dhe të rezymojë arsyetimin.

Sipas qëndrimit të FDHK, gjykata e ka pasur për obligim që me rastin e shpalljes së aktgjykimit, vendimin e saj shkurtimisht ta arsyetojë, posaçërisht kur të merret parasysh se të akuzuarit Kërstiq i është shqiptuar dënimi me burgosje i cili, sipas ligjit penal i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale me të cilën i akuzuari ngarkohet, është më afër dënimit të përgjithshëm maksimal prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh të paraparë sipas LP të RSFJ-së për të gjitha veprat penale[3] (në të cilat nuk ka qenë i paraparë dënimi maksimal me burgosje). Me ligjin e cekur, për veprën penale me të cilën i akuzuari Kërstiq është shpallur fajtor, ka qenë i paraparë dënimi me burgosje me pesë (5) vite ose dënimi me vdekje [ky dënim ka mundur të zëvendësohet me dënimin me burgosje prej njëzetë (20) vitesh]. Dënimi me vdekje është hequr me anë të Rregullores së UNMIK-ut 24/1999 të datës 12 dhjetor të vitit 1999, por ka mbetur zëvendësimi i cekur në kohëzgjatje prej njëzetë (20) vitesh.

Provat përbëjnë pjesën qendrore të çdo procesi gjyqësor të këtij lloji. Ajo që vëzhguesit e FDHK kanë mundur të vërejnë në lidhje me provat e paraqitura gjatë shqyrtimit kryesor në lëndën Prokurori kundër Zllatan Kërstiqit dhe Destan Shabanajt është se dëshmitarët e prokurorisë e kanë identifikuar praninë e të dy të akuzuarve në vendet, në të cilat në ditën kritike janë kryer krimet. Në lidhje me këtë, gjykata në dispozitivin e aktgjykimit ka konstatuar se i akuzuari i parë, Kërstiq në mbrëmjen kritike ka vepruar në bashkëkryerje me kryerës të tjerë gjatë sulmit në familjen Nuhaj në shtëpinë e tyre familjare, duke i terrorizuar anëtarët e kësaj familjeje, duke i dëbuar pesëmbëdhjetë (15) anëtarë të kësaj familjeje nga shtëpia e tyre, duke e shkatërruar pronën e tyre, si dhe duke i kidnapuar katër (4) anëtarë të kësaj familjeje, të cilët më vonë janë gjetur të vdekur. Viktimat, me urdhrin e të akuzuarit të dytë, Shabanaj, i cili ka vepruar sipas urdhrave të eprorëve të tij, janë varrosur në mënyrë jodinjitoze, pa respektim të ritualeve fetare, pa e shënjuar se në atë vend gjendet varreza si dhe pa e treguar identitetin e personave të varrosur.

Sipas provave të paraqitura gjatë shqyrtimit kryesor, praninë në vendin e ngjarjes së të akuzuarit të dytë Shabanaj dhe veprimet e tij i kanë vërtetuar dëshmitarët të cilët kanë marrë pjesë në varrosjen e pesë (5) kufomave të gjetura në fillim të muajit prill të vitit 1999 pranë rrugës rajonale në fshatin Babush/Babuš, komuna e Ferizajt/Uroševac. Ata kanë vërtetuar se kanë vepruar sipas urdhrave të tij, se trupat janë varrosur, përkatësisht se janë hedhur në një varrezë, si edhe se vendi ku është bërë varrosja në asnjëfarë mënyre nuk është shënjuar si varrezë.

Sipas deklaratave të disa dëshmitarëve, i akuzuari Shabanaj, pas konfliktit të armatosur, iu ka ndihmuar familjeve të viktimave në gjetjen e varrezës, gjë që mund të vlerësohet si rrethanë lehtësuese. Në anën tjetër, për vlerësimin e përgjegjësisë së tij, gjykata është dashur ta ketë pasur parasysh se ai në ditën kritike, si person zyrtar, sipas urdhrave të të cilit është organizuar varrimi i pesë (5) viktimave, ka mundur të ndikojë që varrimi të organizohet duke e respektuar dinjitetin e të ndjerëve si dhe që vendi i varrezës të shënjohet. Kjo, megjithëkëtë, mund të vërtetohet vetëm pas shikimit në aktgjykimin me shkrim në këtë lëndë.

Lidhur me sulmet e forcave të armatosura serbe në familjen Nuhaj nga fshati Nerodime e Epërme/Gornje Nerodimlje, komuna e Ferizajt/Uroševac, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, në orët e mbrëmjes së datës 26 mars të vitit 1999, kur edhe janë vrarë katër anëtarë të familjes Nuha, Zyra e PSRK në lëndën Prokurori kundër Zllatan Kërstiqit dhe Destan Shabanajt procedurën penale së pari e ka hapur kundër të akuzuarit Kërstiq. Së shpejti ka filluar procedura penale edhe kundër të akuzuarit të dytë, Shabanaj, se ai në cilësinë e pjesëtarit të policisë serbe dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, në datën 1 prill të vitit 1999, e ka organizuar veprimin e varrimit të anëtarëve të familjes Nuhaj, si dhe të trupit të Ismet Ramadanit nga Ferizaj/Uroševac.

Në lidhje me të akuzuarit, në datën 30 dhjetor të vitit 2019, është ngritur një aktakuzë e përbashkët, me akuza të ndara, me anë të të cilave janë precizuar veprimet e të akuzuarve. Shqyrtimi kryesor lidhur me aktakuzën e vlerësuar është hapur në datën 2 korrik të vitit 2020. Trupi gjykues gatë shqyrtimit (me seancën e dëgjimit të parë) ka mbajtur njëzetë (20) ditë seanca gjyqësore, gjatë të cilave janë dëgjuar tetëmbëdhjetë (18) dëshmitarë të propozuar nga ana e prokurorisë. Prokuroria, në fund të shqyrtimit ka hequr dorë nga dëgjimi i disa dëshmitarëve të propozuar për shkak të vështirësisë së dëgjimit të tyre para trupit gjykues. Njësoj ka vepruar edhe mbrojtja e të akuzuarve, duke hequr dorë nga dëgjimi i disa dëshmitarëve të propozuar para trupit gjykues.

Të akuzuarit kanë dëshmuar para trupit gjykues. Ata i kanë mbështetur argumentet përfundimtare të mbrojtjes së tyre. I kanë parashtruar edhe fjalët e tyre përfundimtare, duke e kundërshtuar pjesëmarrjen në kryerjen e veprave penale, me të cilat ngarkohen.

Aktgjykimi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë/Priština, i shpallur në datën 23 mars të vitit 2021, nuk është përfundimtar.



[1] Anëtarët e trupit gjykues deri në fund të vitit 2021: gjyqtarja Valbona Musliu Selimaj dhe Valon Kurtaj. Në seancën e trupit gjykues të mbajtur në datën 27 janar të vitit 2021, gjyqtarin Kurtaj e ka zëvendësuar gjyqtari, Lutfi Shala.

[2] I ndjeri Ramadani ato ditë është zhdukur në Ferizaj/Uroševac.

[3] Neni 38 i LP të RSFJ-së.