Komunikata për media

Serbi i Kosovës dënohet me 12 vite burgosje për krimin e luftës në Pejë

12.02.2021, 03:10

Trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë (ka kryesuar gjyqtari, Arben Hoti[1]), në lëndën Prokurori kundër Zoran Gjokiqit, e ka sjellë në datën 11 shkurt të vitit 2021 aktgjykimin, me të cilin i akuzuari Gjokiq është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile, sipas më shumë pikave, të kryera gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë në vitin 1999 në lagjet pejane Kristal dhe Te soliteri, për të cilat i është shqiptuar dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) vitesh. Në dënimin e shqiptuar është llogaritur koha e kaluar në paraburgim nga data 1 shkurt e vitit 2019.


I akuzuari Gjokiq është shpallur fajtor sepse në cilësinë e policit rezervë të forcave serbe, në datën 28/29 mars të vitit 1999 në Pejë ka marrë pjesë në keqtrajtimin, në plaçkitjen, në dëbimin dhe në plagosjen e popullatës civile shqiptare në lagjet pejane Kristal dhe Te soliteri, kur edhe janë vrarë katër civilë.


Aktgjykimi është sjellë pas shqyrtimit kryesor të hapur lidhur me aktakuzën e Zyrës së PSRK të datës 31 maj të vitit 2019 (PPS.nr. 23/2018). Me anë të aktakuzës i është vënë në barrë të akuzuarit se në bashkëkryerje me persona të panjohur i ka kryer veprat penale: krim i luftës kundër popullatës civile[2], krim i luftës i cili e shkel rëndë nenin 3 të Konventave të Gjenevës[3] dhe krim i luftës i cili i shkel rëndë ligjet dhe zakonet në fuqi në konfliktet e armatosura, të cilat nuk janë me karakter ndërkombëtar[4].


Duke e shpallur të akuzuarin fajtor sipas aktakuzës së ndryshuar, gjykata në arsyetimin e shkurtër me rastin e shpalljes së vendimit ka kumtuar se gjatë marrjes së tij e ka analizuar çdo provë individualisht, duke e konstatuar gjendjen faktike në bazë të deklaratave të dëshmitarëve dhe të provave materiale. Në këtë mënyrë, gjykata ka arritur deri te përfundimi se cilat janë provat vendimtare në këtë lëndë.


Të akuzuarit, me vendim të veçantë të panelit i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, me zbatimin e nenit 367, paragrafi 2 i KPPRK, i cili e parasheh vazhdimin e masës së paraburgimit me rastin e shqiptimit me burgosje në kohëzgjatje prej pesë (5) ose më shumë vitesh.


Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, gjykata nuk i ka saktësuar qartë veprimet konkrete të të akuzuarit, të cilat ai i ka ndërmarrë në ditën kritike, e për të cilat i akuzuari është shpallur fajtor. Sipas dispozitivit të aktgjykimit, i cili është lexuar gjatë shpalljes së tij, mund të përfundohet se gjykata ka vlerësuar se i akuzuari ka vepruar në grup. Me këtë dispozitiv nuk është saktësuar se për cilat vrasje shpallet fajtor i akuzuari. Duke e pasur parasysh se aktgjykimi me shkrim në këtë lëndë duhet të përpilohet, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) nuk mund të lëshohet në analizën e dilemave të cekura si dhe të provave, mbi të cilat ai ndërtohet si dhe në arsyetueshmërinë e dënimit të shqiptuar.


Megjithëkëtë, duke e përcjellë në mënyrë të rregullt procedurën penale kundër të akuzuarit Gjokiq nga momenti i privimit të tij nga liria në fillim të muajit shkurt të vitit 2019 si dhe në bazë të analizës të dokumentacionit, i cili publikisht është në dispozicion në lëndën Prokurori kundër Zoran Gjokiqit, FDHK gjen se procedura penale kundër të akuzuarit gjatë vet shqyrtimit kryesor është zhvilluar në përputhje me dispozitat ligjore. Megjithëkëtë, ajo që mund t'i bëhet vërejtje panelit shqyrtues është se shqyrtimi kryesor kundër të akuzuarit, i cili ka qenë në paraburgim, ka zgjatur shumë (nga data 4 dhjetor e vitit 2019 e deri në datën 11 shkurt të vitit 2021). Dispozitat e Kodit mbi Procedurën Penale (neni 314, paragrafi 1, pika 1.2) në mënyrë saktë e parashohin se procedura para panelit shqyrtues mund të zgjas deri në njëqind e njëzetë (120) ditë. Ky afat, sipas ligjit mund të vazhdohet vetëm me anë të kërkesës së arsyetuar dhe në rast të numrit të madh të dëshmitarëve ose të ekzistimit të rrethanave të cilat janë të domosdoshme për vërtetimin e gjendjes faktike. FDHK nuk ka informacione mbi atë nëse janë deponuar kërkesat për vazhdimin e shqyrtimit, përkatësisht nëse ai është vazhduar për shkak të krijimit të rrethanave që parashihen me ligj ose për shkak të inercisë, gjë që, nëse ky është rasti, do të përbënte shkelje të ligjit. Ajo që mund të vërehet është se gjatë katërmbëdhjetë (14 ose 11 nëse merret parasysh ndërprerja tremujore e punës së gjykatave) muajve, sa ka zgjatur shqyrtimi, paneli shqyrtues është mbledhur në seanca katërmbëdhjetë (14) ditë, gjatë të cilave janë dëgjuar shtatëmbëdhjetë (17) dëshmitarë të propozuar nga palët në procedurë. Pandemia Covid-19 nuk mund të jetë arsyetim për kohëzgjatjen kaq të madhe të shqyrtimit kryesor në rastet kur i akuzuari ndodhet në paraburgim.


FDHK po ashtu gjen se trupi gjykues e ka shpallur aktgjykimin në këtë lëndë në kundërshtim me dispozitat ligjore. Neni 366, paragrafi 1 i KPPRK në mënyrë të qartë parasheh se pas përfundimit të shqyrtimit, shpalljen e aktgjykimit mund ta shtyjë më së largu deri në tri (3) ditë. Në këtë lëndë, shqyrtimi kryesor ka përfunduar në datën 4 shkurt, kurse aktgjykimi është shpallur në datën 11 shkurt të vitit 2021.


FDHK po ashtu gjen se prokuroria, ndryshimin (përkatësisht në rastin konkret zgjerimin) e aktakuzës pas procedurës së përfunduar të provave e ka kryer në kundërshtim me dispozitat e Kodit mbi Procedurën Penale (neni 241, paragrafi 1, pika 1.7), sepse ky ndryshim është dorëzuar pa arsyetim, përkatësisht pa elaborim të arsyeve dhe provave, që kanë ndikuar në zgjerimin e aktakuzës.

 

Aktakuza kundër Gjokiqit është ngritur nga Zyra e PSRK (prokurorja e shtetit, Habibe Salihi) në datën 31 maj të vitit 2019 në drejtim të veprave të cekura penale. Me to i akuzuari ngarkohet se gjatë muajit mars dhe prill të vitit 1999, më saktë në datën 29 mars të vitit 1999, në lagjen Kristal në Pejë, duke vepruar në kuadër të grupit serb kriminal të organizuar, në përbërjen e të cilit kanë qenë pjesëtarë të uniformuar dhe të armatosur të ushtrisë, policisë dhe grupeve paramilitare, (ndaj të cilëve edhe më tutje nuk kanë qasje organet e ndjekjes të Kosovës), me zbatimin e masave të terrorizimit, plaçkitjes, vrasjeve dhe të dëbimeve, e ka lënduar integritetin trupor ose shëndetin e popullatës së pambrojtur civile shqiptare, e cila nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejtë në konflikt. Popullata e lagjes së cekur është dëbuar nga shtëpitë e tyre, disa individëve iu janë marrë shuma të mëdha të të hollave, janë vrarë katër njerëz.


Me aktakuzën e ndryshuar, prokuroria, krahas veprimeve të cekura lidhur me pikën e parë, të akuzuarit ia ka vënë në barrë edhe se në të njëjtën ditë, në të njëjtën lagje dhe në të njëjtën cilësi, në bashkëkryerje me persona të tjerë, krahas dëbimit të popullatës civile nga shtëpitë e tyre familjare, duke shtënë nga arma e zjarrit, i ka shkaktuar lëndime trupore dy djemve të moshës tre (3) dhe nëntë (9) vjeç, të cilët me anëtarë të caktuar të familjeve të tyre janë larguar nga vendbanimi.


Zyra e PSRK ia ka vënë në barrë të akuzuarit si vepër të veçantë penale se në periudhën e muajve mars-prill të vitit 1999 në Pejë, më saktësisht në datën 28 mars të vitit 1999, në lagjet Te soliteri, i cili tash quhet Rrokaqielli, duke vepruar si anëtar i grupit të organizuar kriminal serb në uniforma policore dhe ushtarake, me qëllimin që të shkaktojë vuajtje të madhe ose të rrezikojë integritetin trupor dhe shëndetin e njerëzve, ka zbatuar masa të terrorizimit ndaj popullatës së pambrojtur civile, me anë të vrasjeve, të plaçkitjes, me urdhërimin e shpërnguljes së popullatës civile, duke hyrë nëpër shtëpitë e shqiptarëve, duke kërkuar para dhe duke shtënë nga armët (të markës kallashnjikov) në ajër dhe duke iu drejtuar me fjalët: „Të gjithë shqiptarët duhet të vriten, shkoni në Shqipëri“. Në këtë mënyrë, ai i ka detyruar këta qytetarë të braktisin shtëpitë e tyre dhe të orientohen në drejtime të ndryshme, disa drejt Shqipërisë, të tjerë në Mal të Zi.


[1] Anëtarët e trupit gjykues, gjyqtaret Albina Shabani Rama dhe Shadije Gërguri.

[2] E paraparë dhe dënueshme me nenin 142 të LP të RSFJ-së, i cili është në zbatim me Rregulloren e UNMIK-ut 24/1999 të datës 12 dhjetor të vitit 1999.

[3] E paraparë dhe dënueshme me nenin 152, paragrafi 1 i KPRK (2012).

[4] E paraparë dhe dënueshme me nenin 153, paragrafi 1, pikat 2.1; 2.2; 2.5; 2.8; 2.13 i 2.15 dhe neni 3 i KPRK (2012).