Komunikata për media

Konfirmohen aktakuzat e para të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës

09.11.2020, 11:15

Konfirmimi i aktakuzës për krime të luftës kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaqit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës ((PDK) Kadri Veselit, ish zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit dhe ish anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm, Rexhep Selimit, përbënë deri tash hapin më serioz dhe më të madh të Dhomave të Specializuara dhe të Prokurorisë Speciale në përmbushjen e mandatit të tyre. Ato, më shumë se pesë vite punojnë në ndriçimin e krimeve të luftës dhe atyre kundër njerëzimit të kryera gjatë dhe pas konfliktit të armatosur në Kosovë (1998-2000), për të cilat flet Raporti i Raportuesit Special të Këshillit të Evropës, Dick Marty.


Aktakuza kundër katër ish liderëve të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)[1], është një lloj i epilogut të ortekut të cilin e ka nisur në vitin 2008 Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, kur në librin e saj autobiografik “Zonja Prokurore - Gjuetia, unë dhe kriminelët e luftës“ ka shprehur pretendimet mbi krimet të cilat i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së para përfundimit dhe pas konfliktit të armatosur në Kosovë. Ajo, përndryshe, është ankuar edhe më herët për shumë probleme, që kanë pasur të bëjnë me bashkëpunimin me politikanët e vendeve ballkanike si dhe me zyrtarët e asaj kohe të Kosovës (që në atë kohë ka qenë nën administrimin e përkohshëm të UNMIK-ut). Problemet posaçërisht kanë pasur të bëjnë me sigurimin e provave në procesuimin e procedurave penale, në të cilat të akuzuar kanë qenë ish pjesëtarët e rangut të lartë të UÇK-së.


Me qëllim të vërtetimit të së vërtetës në këto pretendime, Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e ka emëruar në vitin 2008 raportuesin Special, Dick Marty, për të hulumtuar pretendimet mbi veprat penale të kryera gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë dhe menjëherë pas tij, në periudhën e viteve 1998 – 1999. Marty ua ka prezantuar gjetjet e tij Këshillit të Evropës, që me anë të Rezolutës 1782 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës janë miratuar në muajin janar të vitit 2011. Sipas Raportit të Marty-t, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë në periudhën e viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë janë kryer një numër i madh krimesh ndaj serbëve, shqiptarëve në Kosovë, për të cilët është dyshuar se bashkëpunojnë me regjimin serb, si dhe ndaj romëve.


Asambleja e Këshillit të Evropës në lidhje me gjetjet e raportuara në raportin e saj e ka sjellë vendimin mbi formimin e Ekipit Special Hetues (SIT) me seli në Bruksel. SIT ka filluar me punën e tij në muajin shtator të vitit 2011. Mandati i SIT-it ka qenë të zhvillojnë një hetim të pavarur lidhur me pretendimet e paraqitura në raportin e Raportuesit të Këshillit të Evropës.


Derisa ekipi i SIT-it i ka zhvilluar hetimet, në muajin prill të vitit 2014 është publikuar këmbimi i letrave midis ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, me çka është arritur marrëveshja ndërkombëtare për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe Prokurorit të Specializuar (PS). Këto organe gjyqësore janë formuar si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Ato janë kompetente për procesuimin e veprave penale, të cilat kanë qenë lëndë e hetimeve të SIT-it. DHSK dhe PS janë formuar si obligim i Kosovës ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Letrat janë miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me shumicën e dy të tretave në muajin prill të vitit 2014.



Nga mesi i vitit 2014, Kryeprokurori i SIT-it, Clint Williamson, e ka bërë publikimin e komunikatës në të cilën, krahas të tjerave, ka thënë se ekipi i tij ka arritur deri te prova, të cilat ia mundësojnë për të ngritur aktakuzat e para në lidhje me krimet e luftës për të cilat flet Raporti i Marty-t.


Gjatë gjysmës së parë të vitit 2015 janë bërë ndryshimet kushtetuese të Kushtetutës së Kosovës, me të cilat juridikisht është themeluar formimi i DHSK dhe PS. Vendimin mbi kushtetutshmërinë e ndryshimit të Kushtetutës e ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj të muajit prill të vitit 2015. Sipas këtij vendimi, projekti i amandamentit kushtetues për DHSK dhe PS është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës (neni 162). Ndryshimet e Kushtetutës janë miratuar në Kuvendin e Kosovës në datën 3 gusht të vitit 2015, kur është miratuar edhe ligji i veçantë mbi formimin e DHSK dhe PS.


Aktakuza e parë nga PS është ngritur në muajin shkurt të vitit 2020 kundër të akuzuarit Salih Mustafa. Ajo, me vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, është konfirmuar me datën 12 qershor të vitit 2020, kurse është publikuar në fund të muajit shtator, me rastin e paraqitjes së parë para gjykatës të të akuzuarit pas privimit të tij nga liria.


Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) vlerëson se DHSK dhe PS nga periudha prej themelimit i kanë kryer përgatitjet adekuate për një punë të papenguar dhe ekspeditive. FDHK pret që këto dy institucione janë siguruar se procedurat penale do të zhvillohen në pajtim me standardet e larta ndërkombëtare dhe praktikën më të mirë evropiane, se të akuzuarit do të kenë gjykim të drejtë dhe të bazuar në dispozitat ligjore dhe provat materiale. Këto dy institucione duhet që ti japin përgjigje pritjeve të viktimave, si dhe të nxjerrin të vërteten mbi krimet e pretenduara në raportin e Dick Marty-t.


Krahas përgatitjeve shumëvjeçare, të cilat posaçërisht kanë zgjatur pas shkarkimit të pashpjegueshëm të kryeprokurorit David Schwendiman-it, që, sipas vlerësimeve tona, e kanë ngadalësuar punën e DHSK për më shumë se një vit e gjysmë, tash për tash në llogari të DHSK dhe PS mund t'iu bëhet vërejtje se nuk po gjenden në mënyrën më të mirë në komunikim me publikun dhe me mediet në Kosovë dhe se lëngojnë nga jotransparenca. PS nuk guxon të lejojë që publiku të njoftohet mbi aktakuzat nga vet të akuzuarit ose avokatët e tyre. PS duhet të gjejë mënyrën për të qenë më transparente, pa rrezikimin e konfidencialitetit të procedurës dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Është fjala për temën, për të cilën në Kosovë mbretëron një interesim i jashtëzakonshëm dhe është thelbësore që opinioni publik të ketë informacion nga dora e parë dhe jo nga burimet e tërthorta. Kjo, në të njëjtën kohë, do t'i ndihmonte përforcimit të autoritetit, të cilin e kanë DHSK dhe PS në shoqërinë kosovare.


[1] Aktakuza e parë e konfirmuar nga gjyqtari i procedurës paraprake i DHSK ka qenë ngritur kundër pjesëtarit të UÇK-s të rangut më të ulët, Salih Mustafës.