Komunikata për media

Lushtaku dënohet me gjobë për shkak të arratisjes së dyfishtë nga paraburgimi

20.04.2020, 19:04

Trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë/Priština (i kryesuar nga gjyqtari Shashivar Hoti1 ) e ka shpallur në datën 14 prill të vitit 2020 aktgjykimin me të cilin i akuzuari Sami Lushtaku është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale arratisje e personit të privuar nga liria në dy raste. Për këtë vepër, gjykata ia ka shqiptuar atij dënimin me gjobë në lartësi prej dymbëdhjetë mijë (12.000) euro, të cilin është i obliguar për ta paguar në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas aktgjykimit të plotfuqishëm. 

Veprat e cekura penale Lushtaku i ka kryer në atë mënyrë që në datën 21 gusht të vitit 2015 (në intervalin kohor prej orës 10:12 deri 19:05), si dhe në datën 22 shtator të vitit 2015 (në intervalin kohor prej orës12:30 deri 15:30), ka qëndruar jashtë ambienteve të Qendrës së Paraburgimit në Dubravë/Dubrava, ku ka qenë i paraburgor lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë/Mitrovica prej datës 25 maj të vitit 2015 (rasti Drenica, P.nr. 938/13, aktgjykimi i shkallës së parë, jo i plotfuqishëm). Për këto qëndrime jashtë qendrës së paraburgimit, Lushtaku nuk e ka pasur lejen e gjykatës kompetente dhe nuk ka qenë nën mbikëqyrjen e zyrtarit të shërbimit korrektues.

Me të njëjtin aktgjykim, të akuzuarit Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena janë shpallur fajtor për kryerjen e dy veprave penale lirim i paligjshëm i personave të privuar nga liria. Veprat penale i kanë kryer në atë mënyrë që, në bashkëkryerje dhe në cilësinë e personave zyrtar (zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Dubravë/Dubrava), si dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë/Mitrovica, me të cilin të akuzuarit Lushtaku i është caktuar masa e paraburgimit deri në aktgjykimin e plotfuqishëm të datës 27 maj të vitit 2015, të akuzuarit i është mundësuar qëndrimi i paligjshëm në liri. Gjykata ia ka shqiptuar, secilit individualisht, Blakajt, Ahmetit dhe Zenës, dënimin me gjobë në lartësinë prej njëmijë (1.000) eurove, të cilin janë të obliguar për ta paguar pesëmbëdhjetë (15) ditë pas aktgjykimit të plotfuqishëm. 

I akuzuari Lushtaku, me të njëjtin aktgjykim, është liruar nga akuza se, në bashkëkryerje me Sahit Jasharin dhe Ismet Haxhën, gjatë kohës së qëndrimit në shërimin spitalor në Qendrën Klinike Spitalore Universitare në Prishtinë/Pristina, me vet-iniciativë i ka lëshuar ambientet e kësaj qendre në mëngjesin e datës 20 maj të vitit 2014, edhe pse, sipas vendimit të gjykatës kompetente, është gjendur në paraburgim. Pas lëshimit të shtratit të spitalit, Lushtaku ka qëndruar në liri deri në datën 22 maj të vitit 2014. Në lidhje me këtë vepër penale, nga kjo akuzë janë liruar edhe bashkëpjesëmarrësit e tij, të akuzuarit Haxha dhe Jashari. 

Mbi arratisjen e Lushtakut, Haxhës dhe Jasharit mediet kanë raportuar në mënyrë të hollësishme. Sipas raportimeve, pas publikimit të informatës mbi refuzimin e të akuzuarve që të jenë të pranishëm në hapjen e shqyrtimit kryesor lidhur me akuzat për krime të luftës, i cili është dashur të fillojë para Gjykatës Themelore në Mitrovicë/Mitrovica, të akuzuarit nuk janë gjetur në ambientet e Qendrës Klinike Spitalore Universitare në Prishtinë/Priština, ku kanë qëndruar për shkak të mjekimit. Janë paraqitur pas disa ditësh, pas tërheqjes së gjykatës kompetente nga vendimi mbi transferimin e tyre në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë/Mitrovica. 


Gjykata, në të njëjtën kohë, me aktgjykimin e datës 14 prill të vitit 2020, i ka liruar nga akuzat në drejtim të veprave penale, që iu janë vënë në barrë me aktakuzën e datës 17 nëntor të vitit 2016 të ashkakuzuarve Emrush Thaqi, Shamsi Hajrizi, Agim Ukaj dhe Ismail Dibrani në drejtim të veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare; Mërgim Lushtaku dhe Dardan Geci në drejtim të veprës penale mundësim i arratisjes së personave të privuar nga liria; Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, në drejtim të veprës penale ofrim i ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale si dhe Nexhib Shatri në drejtim të veprave penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, falsifikim i dokumenteve dhe mundësim i arratisjes së personave të privuar nga liria. 


Gjykata, në lidhje me të akuzuarin Gjokaj, i cili ka vdekur në datën 31 mars të vitit 2020, ka sjellë aktgjykimin refuzues. 


Me aktakuzën e Zyrës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila Gjykatës Themelore në Prishtinë/Priština i është dorëzuar në datën 17 nëntor të vitit 2016, njëzet e katër të akuzuarve iu është vënë në barrë se në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me anë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare ose me veprime të tjera e kanë ndihmuar arratisjen e të akuzuarve Lushtaku, Haxha dhe Jashari nga ambientet e Qendrës Klinike Spitalore Universitare në Prishtinë/Priština ose se e kanë lehtësuar dhe ndihmuar arratisjen e cekur të këtyre të akuzuarve, pasi që ajo është kryer. Arratisja e tre të akuzuarve nga spitali, sipas aktakuzës, ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e shqyrtimit kryesor në lëndën P. 938/13, fillimi i së cilës ka qenë i planifikuar për datën 22 maj të vitit 2014 pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë/Mitrovica.


Shqyrtimin kryesor në lëndën Prokurori kundër Emrush Thaqit dhe të tjerëve para trupit gjykues me të cilin ka kryesuar gjyqtari Hoti, qysh prej dorëzimit të aktakuzës e kanë përcjellë shkeljet e procedurës penale. Kështu, për shembull, gjykata është vonuar në hapjen dhe në zhvillimin e shqyrtimit fillestar. Gjykata, sipas Kodit të Procedurës Penale, është e obliguar që në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga ngritja dhe dorëzimi i aktakuzës në gjykatë të hap shqyrtimin fillestar. Shqyrtimi fillestar lidhur me aktakuzën para kryetarit të trupit gjykues është hapur vetëm me datën 25 shtator të vitit 2017. Po ashtu, procedura e vlerësimit të aktakuzës ka zgjatur tepër shumë dhe ka përfunduar me vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 12 qershor të vitit 2018, me të cilin është konfirmuar vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë/Priština mbi refuzimin e kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe mbi refuzimin e kundërshtimeve ndaj provave. 

Pas këtij vendimi, janë plotësuar kushtet për hapjen e shqyrtimit kryesor lidhur me aktakuzën e datës 17 nëntor të vitit 2016. Shqyrtimi kryesor është hapur vetëm në datën 28 gusht të vitit 2019, përkatësisht në datën 24 shtator të vitit 2019 (në seancën e parë të trupit gjykues nuk ka qenë i pranishëm prokurori kompetent dhe e njëjta është shtyrë). Është i pakundërshtueshëm fakti se aktakuza është ngritur kundër një numri të madh të të akuzuarve (24), si edhe se bëhet fjalë për një lëndë tejet të ndërlikuar. Megjithëkëtë, në bazë të përcjelljes së seancave të hapura të gjykatës, mund të konstatohet se gjykata nuk i ka ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e pranisë së palëve në procedurë në gjykatë, e me qëllim të zhvillimit të suksesshëm dhe të plotë të shqyrtimit kryesor. 

Gjatë procedurës është konstatuar shtyrja e paarsyetuar dhe zvarritja në ndërmarrjen e veprimeve procedurale [vonesa në procedurën për aktakuzën më shumë se nëntë (9) muaj pas pranimit të së njëjtës, kurse shqyrtimi kryesor është hapur pas më shumë se një viti nga vendimi i Gjykatës së Apelit se lidhur me aktakuzën e vlerësuar mund të hapet shqyrtimi kryesor]. Në lidhje me këtë, FDH Kosovë nuk ia ka dal për të siguruar informacione zyrtare mbi vendimet eventuale dhe arsyet e mundshme për shtyrjen e veprimeve të caktuara procedurale, deri tek të cilat ka rezultuar pas afateve të parapara me ligj. Gjatë rrjedhës së shqyrtimit kryesor nuk janë cekur arsyet e vonesave, pos vërejtjes së kryetarit të panelit se paneli shqyrtues ka qenë i angazhuar në lëndë të tjera. 

Përgjatë zhvillimit të këtij shqyrtimi ka pasur edhe shkelje të tjera të procedurës penale. Në lidhje me disa të akuzuar, procedura është ndarë me vendim të trupit gjykues nga procedura me disa të akuzuar të tjerë (në rastet e mungesës së pranisë së tyre në gjykatë), në mënyrë që në seancat në vazhdim, pas pranisë së tyre në gjykatë, procedura në lidhje me këta të akuzuar të bashkohet. Në këtë mënyrë, disa të akuzuar nuk kanë qenë të pranishëm në disa pjesë të shqyrtimit kryesor, në disa veprime të caktuara procedurale, të cilat janë kryer në mungesë të pranisë së tyre ose gjatë parashtrimit të provave të caktuara. 


Sipas gjetjeve të FDH Kosovë, trupi gjykues nuk i është përgjigjur detyrës së caktuar, edhe pse është fjala për një trup gjykues, në përbërjen e të cilit kanë qenë gjyqtarë me përvojë shumëvjeçare. 

Shqyrtimi kryesor në lëndën Prokurori kundër Emrush Thaqit dhe të tjerëve zyrtarisht është hapur në datën 24 shtator të vitit 2019. Edhe përkundër shumë shtyrjeve gjatë rrjedhës së shqyrtimit kryesor, trupi gjykues është takuar në seanca shtatëmbëdhjetë (17) ditë gjyqësore, gjatë të cilave janë dëgjuar tetëmbëdhjetë (18) dëshmitarë, janë paraqitur provat materiale të propozuara nga ana e prokurorisë dhe janë lexuar deklaratat e disa dëshmitarëve të caktuar. Disa prej të akuzuarve i kanë dhënë deklaratat e tyre para panelit, deri sa të tjerët e kanë shfrytëzuar të drejtën ligjore që të mbrohen me anë të heshtjes. Palët në procedurë, në fund të shqyrtimit, i kanë shprehur argumentet e tyre përfundimtare. 


Duhet të ceket se gjatë shqyrtimit kryesor, në datën 4 dhjetor të vitit 2019, kundër të akuzuarës Mervete Hasani (bashkëshortes së të akuzuarit Lushtaku) është sjellë aktgjykimi në bazë të pranimit të fajit. Me anë të këtij aktgjykimi, Hasani është dënuar me dënimin minimal me burgosje në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh, i cili është zëvendësuar me dënimin me gjobë në lartësinë prej 3.500 eurove2 . Po ashtu, gjatë shqyrtimit kryesor, e me propozim të disa mbrojtësve të të akuzuarve si dhe për shkak të tërësisë dhe efikasitetit të procedurës penale, gjykata e ka sjellë vendimin mbi ndarjen e procedurës lidhur me pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës së datës 17 nëntor të vitit 2016. Kjo ndarje e procedurës ka pasur të bëje me të akuzuarit Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani (të akuzuar për pengim të dëshmisë ose të procedurës zyrtare, vepër të cilën e kanë kryer si pjesëmarrës të grupit të organizuar kriminal), si dhe në lidhje me të akuzuarit Lushtaku dhe Ismet Haxha, për akuzat për pjesëmarrje në grupin e organizuar kriminal.

Po ashtu, në vet përfundimin e shqyrtimit kryesor, kurse pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 12 mars të vitit 2020, që përkohësisht të kufizohen të gjitha veprimtaritë gjyqësore në të cilat është i përfshirë publiku në procedurat para gjykatave për shkak të pandemisë së virusit të koronës (Covid-19), trupi gjykues i ka mbajtur dy (2) seancat e fundit dhe e ka shpallur aktgjykimin pa praninë e publikut. Në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë/Priština mbi shpalljen e këtij aktgjykimi, të cilën FDH Kosovë e ka marrë përmes adresës së e-mailit zyrtar, nuk janë cekur provat, me të cilat është bazuar trupi gjykues kompetent me rastin e sjelljes së vendimit mbi lirimin e shumicës së të akuzuarve, përkatësisht dispozitat ligjore dhe rrethanat me të cilat është udhëhequr me rastin e shqiptimit të dënimeve me gjobë për të akuzuarit. FDH Kosovë, për këto arsye, nuk është në gjendje për të bërë analizën e plotë të lëndës Prokurori kundër Emrush Thaqit dhe të tjerëve. Kjo analizë do të pasojë pas pranimit të kopjes me shkrim të aktgjykimit ose në raportin e rregullt vjetor mbi gjykimet më të rëndësishme, të cilin do ta përgatis FDH Kosovë për vitin 2020. 


Megjithëkëtë, FDH Kosovë në këtë moment gjen se dënimet me gjobë të shqiptuara ndaj të akuzuarve në lartësitë e cekura nuk janë adekuate me peshën e veprave penale, për të cilat janë shpallur fajtor – Lushtaku, për dy vepra penale të arratisjes së personit të privuar nga liria, të dënueshme me burgosje deri në tri (3) vite; të akuzuarit Blakaj, Ahmeti, Zena, për kryerjen e dy veprave penale mundësim i arratisjes së personave të privuar nga liria; me anë të kodit penal është e dënueshme me burgosje në kohëzgjatje prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vite. Me të njëjtat dënime nuk mund të plotësohet qëllimi i dënimit si dhe ato dënime nuk mund të kenë rol preventiv për kryerësit e tjerë potencial.