Dje, me datën 24 prill 2020, publicisti Shkelzen Gashi ishte mysafir në një televizion publik ku ndër të tjera përmendi edhe viktimat civile jo shqiptare dhe të drejtën e tyre për drejtësi, si dhe përgjegjësinë individuale që duhet të mbajnë ata ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilët kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Pas emisionit z. Gashi u targetua publikisht me kritika të ashpra për qëndrimet e tij nga individë por edhe përfaqësues të organizatave dhe shoqatave të ndryshme si dhe nga përfaqësues të partive politike. Në këtë mënyrë, duke e promovuar kulturën e mos-ndëshkueshmërisë si shoqëri, ne pamundësojmë procesin e drejtësisë tranzicionale në Kosovë dhe mohojmë të drejtën e viktimave dhe familjareve tyre për drejtësi. Prandaj, edhe një herë ju kujtojmë se sundimi i ligjit dhe drejtësia për të gjitha viktimat civile në Kosovë duhet të jetë dhe të mbetet prioritet i shoqërisë kosovare.
Misioni i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) është që t’i kontribuoj shoqërisë kosovare që të vendosë sundimin e ligjit, të ballafaqohet me të kaluarën dhe të rikthejë dinjitetin viktimave dhe familjareve të tyre, duke përkrahur kështu të gjitha gjykatat që procedojnë lëndë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në vitin 2015 FDHK ka përkrahur miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe aprovimin e ligjit që mundësonin formimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës. FDHK përherë bënë thirrje për drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës dhe atyre të pasluftës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe fetare të viktimave dhe kryerësve të krimeve dhe njëkohësisht shprehë shqetësimin mbi qëndrimet publike rreth mos-ndëshkueshmërisë dhe mohimit të viktimave jo shqiptare.
Të gjeturat e FDH dhe FDHK në projektin “Libër Kujtimi i Kosovës” tregojnë se nga 1 janari i vitit 1998 deri me 31 dhjetor 2000, në Kosovë kanë humbur jetën dhe/apo janë zhdukur 10093 civilë, nga ta 8645 shqiptarë, 1013 serbë, 262 RAE, 84 boshnjakë dhe 203 të përkatësive tjera etnike. Ndërsa për këto 21 vite sisteme të ndryshme të drejtësisë, ndërkombëtare dhe vendore, kanë arrite të ofrojnë drejtësi për një numër jashtëzakonisht të vogël të viktimave, ku nga rreth 200 të akuzuar janë të dënuar vetëm 67 persona të të dyja palëve.