Paneli shqyrtues i Departamentit për Krime të Rënda pranë Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin ka kryesuar gjyqtari Artan Sejrani (anëtarë të panelit shqyrtues: Ajser Skenderi dhe Xheladin Osmani), pas shqyrtimit kryesor të mbajtur lidhur ma aktakuzën e Zyrës së PSRK PPS.nr.149/09 të datës 26 prill të vitit 2018 në lëndën Prokurori kundër Darko Tasiqit, ka sjellë në datën 22 qershor të vitit 2020 aktgjykimin me të cilin Tasiqi është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile të kryer në bashkëkryerje sipas dy pikave. Vepra penale, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor është e paraparë dhe e dënueshme me: nenin 142, në lidhje me nenin 22 të Ligjit Penal (LP) të RSFJ-së; me nenin 152, në lidhje me nenin 31 të KPRK (të vitit 2013); me nenin e përbashkët 3 të Konventave të Gjenevës si dhe me Protokollin II Shtesë. I akuzuari Tasiq është dënuar me dënimin e unik me burgosje në kohëzgjatje prej njëzet e dy (22) viteve.
Gjykata e ka shpallur fajtor Tasiqin sipas dy pikave:
- për arsye se gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, në periudhën prej datës 25 deri 26 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë e Vogël/Mala Kruša, në lagjen Hajdari, në cilësi të rezervistit të forcave policore, në bashkëkryerje me kryerës të tjerë të panjohur, me pjesëtarë të forcave ushtarake të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), me forca policore e paramilitare të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë, identiteti i të cilëve nuk ka qenë e mundur të vërtetohet, ka marrë pjesë në rrëmbimin, plaçkitjen dhe vjedhjen e pronës, në shkatërrimin e qëllimshëm të pronës (djegien e shtëpive) dhe në uzurpimin e pronës në përmasa të mëdha, që nuk ka qenë e arsyetuar me nevojat ushtarake, gjë që për pasojë ka pasur shkaktimin e dëmit, marrjen e automjeteve, të makinerisë bujqësore dhe të gjërave të tjera të vlefshme të cilat i kanë takuar të dëmtuarit Kasum Hajdari, si dhe anëtarëve të tjerë të familjes Hajdari dhe banorëve të tjerë të fshatit. Me këtë ai ka kryer vepër penale të plaçkitjes, të shkatërrimit arbitrar, që nuk është arsyetuar me nevojat ushtarake si dhe të sulmit të rëndë dhe shkeljes së dinjitetit njerëzor, me çka në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale të krimit të luftës kundër popullatës civile e paraparë me nenin 142 në lidhje me nenin 22 të LP të RSFJ-së, për momentin e dënueshme me nenin 152, paragrafi 2.2 në lidhje me nenin 31 të KPRK (i cili ka qenë në zbatim në periudhën prej datës 1 janar të vitit 2013 e deri në datën 15 prill të vitit 2019). I akuzuari, me anë të veprimeve të cekura, po ashtu e ka shkelur edhe nenin 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës të datës 12 gusht të vitit 1949, si dhe nenet 4 (paragrafi 2 - pika e dhe g), nenin 13 të Protokollit II Shtesë të Konventave të Gjenevës të datës 8 qershor të vitit 1977. Me zbatimin e dispozitave të cekura, të akuzuarit i është shqiptuar dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej shtatë (7) vitesh.
- për arsye se midis datës 26 dhe 27 mars të 1999, në të njëjtën cilësi, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të forcave policore të MPB-së së RFJ-së, si dhe me pjesëtarë të forcave paramilitare në mënyrë të përgjegjshme dhe me paramendim ka marrë pjesë në përdhosjen e trupave të pajetë (kufomave) të një numri të panjohur të personave të paidentifikuar, në atë mënyrë që kundërligjshëm i ka djegur dhe është përpjekur për t'i fshehur ato, duke i hedhur në lumin Drin në lokacione në rrethinën e fshatit Krushë e Vogël/Mala Kruša, gjë që përbënë një akt të sulmit të rëndë dhe të shkeljes së dinjitetit njerëzor dhe personal. Me këtë ai e ka kryer veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile e dënueshme me nenin 142 në lidhje me nenin 22 të LP të RSFJ-së, po ashtu e dënueshme me anë të nenit 152, paragrafi 2.2 në lidhje me nenin 31 të KPRK (2013), krahas shkeljes së nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës të datës 8 gusht të vitit 1949, si dhe nenin 4(e) dhe nenet 8 dhe 3(c) të Protokollit II Shtesë të Konventave të Gjenevës. Të akuzuarit, për veprimet e cekura, i është shqiptuar dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej gjashtëmbëdhjetë (16) vitesh.
Gjykata, në përputhje me dispozitat ligjore, ia ka shqiptuar të akuzuarit dënimin unik me burgosje në kohëzgjatje prej njëzet e dy (22) vitesh. Në dënimin e shqiptuar i është përllogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 22 nëntor të vitit 2017. Ai, po ashtu, me anë të aktgjykimit është i obliguar të paguajë shpenzimet e procedurës në lartësi prej dy mijë (2 000) eurove. Të dëmtuarit, me qëllim të realizimit të kërkesës pronësore juridike, janë udhëzuar për padi civile.
Aktgjykimi nuk është përfundimtar dhe mund të kontestohet me anë të ankesave.
Gjykata Themelore në arsyetimin e shkurtër të aktgjykimit e ka cekur se vendimin e saj e ka sjellë në bazë të provave të administruara në shqyrtimin kryesor, përkatësisht deklaratave të dëshmitarëve të dëgjuar gjatë shqyrtimit, të cilët para gjykatës kanë dëshmuar se në ditën kritike e kanë parë të akuzuarin se si po e uzurponte pronën e tyre, po i plaçkiste dhe po i digjte shtëpitë e tyre ose shtëpitë e fqinjëve të tyre si edhe se kishte marrë pjesë në sjelljen e pahijshme ndaj viktimave, në përdhosjen e kufomave, në djegien dhe hedhjen e trupave të pajetë në lumin Drin.
Gjetjet e Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK)
Gjykata, pas shpalljes së aktgjykimit, e ka paraqitë një arsyetim të shkurtër mbi provat me të cilat është udhëhequr me rastin e marrjes së atij aktgjykimi. FDHK e përshëndetë këtë praktikë dhe këtë duhet ta zbatojnë të gjitha gjykatat. Edhe pse me Kodin mbi Procedurën Penale gjykatat janë të obliguara që pas shpalljes së vendimeve të tyre të paraqesin edhe një arsyetim të shkurtë, gjyqtarët vendor nuk e kanë praktikuar këtë nga koha kur i kanë marrë kompetencat për të vepruar në lidhje me akuzat për krime të luftës.
Gjykata Themelore në arsyetimin e saj e ka cekur se me cilat prova është udhëhequr me rastin e marrjes së vendimit si edhe se të akuzuarit ia ka shqiptuar dënimin me burgosje në kohëzgjatjen e cekur në bazë të kodit i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 janar të vitit 2013 dhe i cili, sipas gjetjeve të gjykatës, është më i butë për kryerësin. Ky Kod është zbatuar edhe me rastin e ngritjes së aktakuzës si ligj sipas të cilit vepra penale ka qenë e dënueshme sipas momentit (kur është ngritur aktakuza), krahas ligjit i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, sipas të cilit vepra penale është e kualifikuar.
Në bazë të analizës së ligjeve, të cilat kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale me të cilat i akuzuari ngarkohet, si dhe kodeve të cilat në Kosovë kanë qenë në zbatim pas konfliktit të armatosur dhe Kodit Penal i cili për momentin është në fuqi, FDHK gjen se kodi, sipas të cilit të akuzuarit i është shqiptuar dënimi me burgosje në kohëzgjatjen e cekur, nuk është më i favorshmi për të akuzuarin në pikëpamje të lartësisë së dënimit të sanksionuar për veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile.
Me anë të nenit 152 të KPRK (2013), për veprën penale e cila të akuzuarit i është vënë në barrë, është i paraparë dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej pesë (5) vitesh e deri në burgosje të përjetshme. Kodi i cekur është më i rreptë krahasuar me ligjin i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale (LP i RSFJ-së). Me fjalë të tjera, LP i RSFJ-së (me ndryshimet të cilat kanë hyrë në fuqi me rregulloren e UNMIK-ut nr. 24/1999 të datës 12 dhjetor të vitit 1999, me të cilën është hequr dënimi me vdekje), për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile është paraparë dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite ose dënimi me burgosje prej njëzetë (20) vitesh.
Nga konflikti i armatosur në Kosovë, në të gjitha lëndët të cilat janë ndjekur penalisht për shkak të dyshimit të bazuar se të akuzuarit kanë kryer krime të luftës, veprimet e tyre janë kualifikuar si krime të luftës sipas LP të RSFJ-së, sipas të njëjtit ligj të akuzuarve iu janë shqiptuar edhe sanksione penale, për arsye se i njëjti në pikëpamje të dënimit të sanksionuar është më i butë për kryerësit. Sipas LP të RSFJ-së, nuk është i mundur shqiptimi i dënimit në kohëzgjatje midis pesëmbëdhjetë (15) dhe njëzetë (20) vitesh, ose për shembull, në kohëzgjatje prej gjashtëmbëdhjetë (16) ose shtatëmbëdhjetë (17) ose tetëmbëdhjetë (18) ose nëntëmbëdhjetë (19) vitesh.
Me gjithë respektin për viktimat e krimit të kryer në fshatin Krushë e Vogël/Mala Kruša në fund të muajit mars të vitit 1999 dhe pranimin e humbjes së pakompensueshme për anëtarët e familjeve të tyre, FDHK po ashtu gjen se gjykatat janë të obligueshme të veprojnë në pajtim me dispozitat ligjore, se askujt nuk mund t'i shqiptohet dënimi më i ashpër me burgosje nga ai që është i paraparë me ligj, pa marrë parasysh se kush është kryerësi i veprës penale dhe pa marrë parasysh pasojat e veprës penale të kryer. Me rastin e marrjes së vendimit mbi shqiptimin e sanksioneve penale, gjykatat duhet t'i përmbahen normave të parapara me ligj. Me dispozitat e përgjithshme të kodeve penale, të cilat kanë qenë në fuqi në Kosovë pas konfliktit të armatosur si dhe me kodin i cili për momentin është në fuqi, është paraparë se veprat penale dhe dënimet e parapara mund të shqiptohen vetëm në bazë të ligjit. Po ashtu, ndaj kryerësit gjithmonë duhet të zbatohet ligji i cili për te është më i butë.
Në fund, duhet të merret parasysh se lënda kundër të akuzuarit Tasiq ka qenë pjesë e hetimeve, që lidhur me rastin në Krushë të Vogël/ Mala Kruša, ka qenë e zhvilluar pothuajse kundër pesëdhjetë (50) të dyshuarve. Prokuroria duhet të vazhdojë hetimet kundër kryerësve të vrasjeve, të cilat kanë ndodhur në këtë fshat në fund të muajit mars të vitit 1999, në mënyrë që personat përgjegjës të dënohen për këto krime dhe në mënyrë që, kështu, e pakta deri diku të realizohet drejtësia për viktimat dhe për anëtarët e familjeve të tyre.
FDHK me këtë rast nuk dëshiron të lëshohet në vlerësimin e provave nga ana e gjykatës dhe deri në këtë moment, si organizatë e cila merret me monitorimin e rregullt të gjykimeve për krimet e luftës, nuk ka pasur qasje në dokumentacionin gjyqësor të fazave të mëhershme të procedurës penale në këtë lëndë.
Rrjedha e procedurës penale
Shqyrtimi kryesor lidhur me aktakuzën e vlerësuar të Zyrës së PSRK e datës 26 prill të vitit 2018 është hapur në datën 13 shtator të vitit 2018, kur prokuroria e ka përmirësuar aktakuzën kryesisht në kuptimin teknik. Gjatë shqyrtimit, paneli gjyqësor është takuar në seanca në njëzet e katër (24) ditë gjyqësore, gjatë të cilave, me qëllim të shqyrtimit të pretendimeve të aktakuzës, janë dëgjuar gjashtëmbëdhjetë (16) dëshmitarë, të cilët i ka propozuar Zyra e Prokurorisë. Gjatë shqyrtimit janë lexuar edhe tri (3) deklarata të dëshmitarëve të fazave të mëhershme të procedurës penale, të cilët në kohën e mbajtjes së shqyrtimit kryesor kanë vdekur ose janë ndodhur në gjendje të rëndë shëndetësore, arsye kjo pse nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në gjykatë. Janë paraqitur edhe provat materiale, që kryesisht kanë të bëjnë me dokumentacionin e siguruar me anë të ndihmës ligjore nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (GJNPJ). Mbrojtja nuk e ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për propozim të dëshmitarëve ose të provave me të cilat do të vërtetohej alibia e të akuzuarit. Palët në procedurë në fund të shqyrtimit i kanë parashtruar fjalët e tyre përfundimtare për dhe kundër aktakuzës. I akuzuari gjatë shqyrtimit është mbrojtur në heshtje. I ka mbështetur argumentet përfundimtare të mbrojtjes së tij.
Shqyrtimi kryesor është ndërprerë për një periudhë pak më të gjatë se tremujore me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 12 mars të vitit 2020, përkatësisht deri në datën 15 qershor të vitit 2020. Këtë ndërprerje e ka shkaktuar pandemia e virusit korona (Covid-19). Ngaqë shtyrja e shqyrtimit kryesor ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj, shqyrtimi kryesor para panelit të njëjtë dhe palëve në procedurë prapë është hapur, aktakuza është lexuar për procesverbal, lidhur me të cilën i akuzuari prapë është deklaruar se nuk është fajtor. Palët në procedurë kanë qëndruar pranë parashtrimeve hyrëse të mëhershme, për procesverbal janë lexuar edhe provat e paraqitura gjatë shqyrtimit si dhe deklaratat e dëshmitarëve dhe provat materiale. Nuk ka pasur propozime të provave të reja.
Shqyrtimi kryesor gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur është regjistruar me video dhe audio.
Aktakuzën e ka ngritur prokurori ndërkombëtar Paul Flynn. Kjo është aktakuza e fundit e misionit të EULEX-it para përfundimit të mandatit ekzekutiv të këtij Misioni në Kosovë. Aktakuzën gjatë shqyrtimit kryesor e ka përfaqësuar prokurorja e Zyrës së PSRK, Drita Hajdari.
Në ditën e fundit të seancës së panelit shqyrtues, gjatë kohës kur palët në procedurë në gjykatë i kanë parashtruar argumentet e tyre përfundimtare, para ndërtesës së Gjykatës Themelore në Prizren janë tubuar anëtarët e familjeve të viktimave, të dëmtuarit, banorë të fshatit Krushë e Vogël/Mala Kruša. Kryesisht kanë qenë gra dhe nëna të viktimave, duke protestuar, duke kërkuar drejtësi dhe dënim të ashpër për të akuzuarin, dënim me burgosje të përjetshme. Anëtarët e familjeve të viktimave kanë protestuar edhe në ditën e shpalljes së aktgjykimit.