Në datën 30 mars të vitit 2023, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka publikuar raportin vjetor mbi monitorimin e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë për vitin 2022, me titull “Gjykimet për krimet e luftës: pa përparim të dukshëm”.
Me rastin e publikimit të raportit vjetor, FDHK mbajti edhe një tryezë të rrumbullakët me njohës të fushës së krimeve të luftës duke diskutuar në temën “Gjykimi i krimeve të luftës në mungesë – Veprim i duhur?”.
Në këtë konferencë u dhanë fjalët hyrëse nga Pauline Menthonnex Gacaferri - Zëvendës Shefe e Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, nga Nushe Kuka Mekaj - Gjyqtare në Gjykatën Themelore në Pejë / si përfaqësuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Znj. Pauline Menthonnex Gacaferri ka konsideruar se duke u bazuar edhe në titullin e këtij raporti, ende ka shumë sfida në gjykimin e këtyre krimeve dhe se nënshrkimi i një marrëveshje në mes të institucioneve gjyqësore të Kosovës dhe Serbisë do t’a ndihmonte shumë këtë proces.
Znj. Nushe Kuka Mekaj deklaroi se Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të vazhdon investimin në zgjerimin e kapaciteteve për procedimin e këtyre rasteve.
Pas fjalëve hyrëse, raporti u prezantua nga Z. Amer Alija, i cili ndër tjerash ka përmendur edhe të gjeturat dhe rekomandimet në kuadër të këtij raporti.
Panelistë në temën “Gjykimi i krimeve të luftës në mungesë - Veprim i duhur?” ishin avokati Artan Qerkini, profesori Visar Morina, prokurorja Drita Hajdari dhe gjyqtari Kujtim Krasniqi.
Avokati Qerkini ka treguar për ndryshimet ligjore të cilat janë bërë në kuadër të Kodit të Procedurës Penale dhe kushtet të cilat duhet të plotësohet për fillimin e gjykimit në mungesë.
Profesor Morina si ish anëtarë i Komisionit të Venecias ka parashtruar qëndrimet dhe rekomandimet e këtij komisioni lidhur me ligjin për gjykimet në mungesë.
Prokurorja Hajdari tregoi për sfidat nëpër të cilat është duke kaluar Prokuroria Speciale që nga pranimi i dosjeve të krimeve të luftës nga misioni i EULEX-it.
Gjyqtari Krasniqi foli për punën e Departamentit Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe për rastet e krimeve të luftës të cilat është duke i trajtuar ky departament.
Në këtë tryezë kontribut të madh në diskutim kanë dhënë edhe përfaqësues të gjyqësorit, organizatave të shoqërisë civile, mediat dhe studentë të fakultetit juridik.
Këtu mund ta lexoni raportin e plotë mbi monitorimin e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë për vitin 2022.