Në datën 31 mars 2022, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka publikuar raportin për vitin 2021: “Drejtësia për viktimat e luftës - ku ka ngecur?”, i cili është përpiluar si rezultat i monitorimit të gjykimeve të ndërlidhura me konfliktin e armatosur në Kosovë, si dhe me veprave penale me prapavijë etnike dhe politike.
Me rastin e këtij publikimi, FDHK organizoi panel diskutimin në temën “Pengesat aktuale në procesimin e krimeve të luftës në Kosovë”.
Fjalët hyrëse në konferencë u paraqitën nga ambasadori Britanik në Kosovë, Z. Nicholas Abbott, zëvendës shefja e misionit të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, Znj. Pauline Menthonnex Gacaferri dhe shefi i sektorit për sundimin e ligjit pranë Zyrës së BE-së në Kosovë, Z. Håkan Ejdervik.
Ambasadori Britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ndër të tjera theksoi se koha është një armik në këto procedura gjyqësore sepse ndikon tek efikasiteti i marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përkrahë Kosovën, jo vetëm për shkak të së kaluarës që ka ndodhur para 23 vitesh por për shkak që kjo është çështje e rëndësishme edhe sot.
Zëvendës shefja e misionit të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, Znj. Pauline Menthonnex Gacaferri, potencoi se viktimat e krimeve të luftës dhe familjet e tyre meritojnë drejtësi dhe vetëm përmes drejtësisë mund të ndërtohet një paqe e qëndrueshme. Ndër të tjera, Znj. Menthonnex Gacaferri beson se institucionet e Kosovës do t’i marrin parasysh rekomandimet nga raporti i FDHK-së.
Shefi i sektorit për sundimin e ligjit pranë Zyrës së BE-së në Kosovë, Z. Håkan Ejdervik, tha se krimet e luftës janë ndër krimet më të rënda. Ashtu si viteve të kaluara, edhe këtë vit raporti i FDHK përmban rekomandime për institucionet dhe gjyqësorin vendor. Ndër të tjera theksoi se duhet të ndërmerren masa për katër rastet për krimet e luftës të cilat janë duke qëndruar pezull pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që nga transferimi i kompetencave nga EULEX-i tek gjyqësori vendor.
Pas fjalëve hyrëse, raporti u prezantua nga Z. Amer Alija, i cili është edhe autor i këtij raporti. Z. Alija, ndër të tjera, ka potencuar të gjeturat e proceseve gjyqësore për krimet e luftës dhe veprave penale me prapavije politike dhe etnike në Kosovë, si dhe i ka veçuar disa nga rekomandimet për institucionet kompetente, me qëllim të tejkalimit të pengesave aktuale në procesimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Në diskutimin “Pengesat aktuale në procesimin e krimeve të luftës në Kosovë”, pikëpamjet e tyre i paraqitën panelistët: Drita Hajdari - udhëheqëse e Departamentit për krime lufte në kuadër të PSRK; Mentor Bajraktari - gjyqtar në Departamentin Special pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë; Avni Vrajolli - shef i sektorit për hetimin e krimeve të luftës pranë Policisë së Republikës së Kosovës dhe Artan Qerkini - avokat.
Panelistët përmendën sfidat me të cilat po ballafaqohen gjatë procedimit të lëndëve për krime lufte, ku ndër të tjera theksuan se mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombetar me Republikën e Serbisë vazhdon të jetë pengesa kryesore në ndjekjen penale të krimeve të luftës.
Për më shumë rreth prezantimit të raportit dhe panel diskutimin mund të ndiqni konferencën e plotë në temën “Pengesat aktuale në procedimin e krimeve të luftës në Kosovë”.