Të premtën, më 15 dhjetor, FDHK pati kënaqësinë të prezantojë punën e artisteve Renea Begolli dhe Luiza Thaqi në hapjen e ekspozitës ‘Thuaje për të më kujtuar, që të mos harrojmë’ në Qendrën e Dokumentimit Kosovë, pjesë e thirrjes për projekte artistike që në fokus kanë ballafaqimin me të kaluarën.
Gruaja në luftë është një çështje sa komplekse aq edhe universale. Trupi i grave nuk është kurrë i parëndësishëm për luftën, në imagjinaren kolektive ky trup është trajtuar herë si
jetëdhënës e hyjnor e herë të tjera si vend i dhunës së manifestuar.
Video-instalacioni i prezantuar nga dy artistet, fillimisht shërben për ta futur vizitorin në një tjetër dimension duke marr një formë fluide me imazhe të botës që shumë kujtonin nga shtëpitë e tyre ose përgjatë rrugëve që i dërgonin në vende që ofronin siguri të përkohshme. Gjysmë-transparenca e materialit dhe hijet e krijuara nga projeksionet reflektojnë në shtresat e këtij diskutimi. Regjistrimet audio janë dëshmitë aktuale që nisën si biseda mes individëve. Zërat herë-herë qëndrojnë të vetëm, herë-herë bashkohen, duke paralelizuar idenë e individualitetit dhe kolektivitetit të kësaj përvoje të veçantë.
"Thuaje për të më kujtuar, që të mos harrojmë" thekson rëndësinë e inkurajimit të komunikimit të kujtimeve, qoftë përmes komunikimit verbal, shkrimit, ose në këtë rast, përmes një pune kërkimore ashtu edhe artistike, për të nxjerrë në pah përvojat e grave për shtatzaninë, lindjen dhe amësinë në periudhën e luftës në Kosovë.
Komunikimi i ndërsjellë, si fëmijë të luftës dhe si protagonistë të këtyre ngjarjeve, synon të sigurojë që këto kujtime të mos zbehen me kalimin e kohës dhe të bëhen pjesë e një narrative më të gjerë të luftës në Kosovë.
Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur për një muaj dhe mbështetet nga Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme.