Lajme

U hap ekspozita 'Teatri Ilegal' nga Sovran Nrecaj

12.10.2023, 11:27

Të premtën, më 06 tetor 2023, u hap në Qendrën e Dokumentimit Kosovë, ekspozita “Teatri Ilegal” nga Sovran Nrecaj. Artisti prezantoi këtu dokumentarin me të njëjtin titull i cili nëpërmjet rrëfimeve të tre personazheve që kanë qenë pjesë e atij teatri, arrin të rikthejë një copëz të historisë së Kosovës dhe të rezistencës paqësore të viteve të nëntëdhjeta.

Ekspozita vjen si rezultat i thirrjes së hapur për projekte artistike që ballafaqohen me të kaluaren - DwP Creations ku nëpërmjet granteve të vogla Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka synim inkurajimin e artistëve të rinj në krijimin e veprave artistike që trajtojnë temat e së kaluarës.

Në fillim të viteve të nëntëdhjeta, teatri në Ferizaj u mbyll për shqiptarët e Kosovës. Vendin e tij e mori pritja. Pritja për një shfaqje tjetër, për një tregim të ri, për një të ardhme ndryshe që nuk e përfshin luftën dhe krimet mbi njerëzimin. Edhe pse pritja mund të marrë formën e palëvizjes, ato vite në Kosovë mund të jenë gjithçka por jo palëvizje, ato janë të karakterizuara nga një forcë e pashtershme e vullnetit të popullit për të qenë i lirë e për të jetuar në paqe.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës në vitin 1989 iu dha shteg uzurpuesve të përjashtonin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga jeta dhe hapësira publike e qyteteve duke i segreguar ata në periferi ose nëpër geto. Në mes të këtij aparteidi shoqëror dhe kulturor u arrit të gjeheshin forma kreative të rezistencës paqësore. E tillë ishte edhe rezistenca e artit, ku shume artistë gjetën shprehje në ekspozitat në kafene, siç ka qenë Hani i Dy Robertëve apo teatri Dodona me një kalendar të pasur artistik.

Aktorë e regjisorë dhanë shfaqje në hapësira të papërshtatshme, herë në shtëpi private, herë në qendra të kulturës të fshatrave ose në kishat katolike anembanë Kosovës. E gjithë kjo vazhdoi deri në vitin 1998 kur edhe shpërtheu lufta në Kosovë.

‘Unë mund të marr çdo hapësirë boshe dhe ta quaj skenë të zhveshur. Një burrë ecën nëpër këtë hapësirë boshe, ndërsa dikush tjetër po e shikon, dhe kjo është gjithçka që duhet që një akt teatri të angazhohet.’ (Brook, 1968)

Kjo frymë dhe këto ide e veçanërisht në lidhje me të bërit teatër, idetë e mëhershme të Grotovskit dhe pastaj të Peter Brook me teorinë e teatrit të zbrazët janë ato që frymëzojnë idenë e një teatri paralel në Kosovë i cili jo në pak raste merr format e një teatri të vërtetë ilegal, ku aktorët, regjisorët, skenografë e të tjerë u ngjajnë disa kontrabandistëve që fshihen në klasa të zbrazëta të shkollave, në nënkulmin e shtëpive private apo në ndërtesa të kultit fetar siç ka qenë rasti i shfaqjes teatrale ‘Martirët e Karadakut’ në Kishën Engjëlli i Rojës në Ferizaj, qytet ky me një dashuri të veçantë për teatrin, rëndësisë së të cilit i kushtohet edhe dokumentari i ndarë në 3 pjesë.

Autori Sovran Nrecaj e ndërton rrëfimin si një bisedë midis tre aktorëve të këtij teatri që mundohen të kujtojnë atë periudhë rezistence. Aktorët Nexhat Xhokli, Dashuri Rexhepi e Arben Marevci rrëfejnë për shfaqjet e rëndësishme të kohës, për peripecitë e shumta gjatë provave si ato të shfaqjes së punuar nga Hafir Bislimi të mbajtura në shtëpinë e Ramush Hazirit ku pasi u zbuluan nga policët serbë u dërguan për pyetje në stacionin policor të qytetit ose shfaqja mbi vrasjen e vëllezërve Gërvalla ku çdo gjë ishte improvizim, që nga hapësira e gjetur për prova në shkollën Gjon Serreqi deri te mizanskena e sajuar me bankat e nxënësve. Në të vërtetë e gjithë kjo përpjekje si edhe vetë rezistenca e bërë do ta ketë theksin në improvizim, ashtu si aktori në skenë në kërkim të frazës së harruar. Improvizimi është ai që e karakterizon shpëtimin e jetës kulturore gjatë sistemit paralel.

Në mënyrë instiktive u gjetën të gjitha hapësirat e pamenduara dhe u ndërtua një teatër origjinal.

Duke e rikujtuar atë periudhë dhe duke e rindërtuar me anë të rrëfimeve vendosëm që edhe ekspozimi i këtij video-dokumentari të kishte një domethënie e cila e rikthen publikun në përjetimin e kohës në fjalë. Qëllimisht dokumentari është ndarë në tre pjesë të shkurtra dhe është vendosur brenda tre tendave të cilat janë elementi i parë që shihet në ekspozitë. Për shkak të ngjyrave të ndezura dhe pamjes moderne, tre tendat mund të duken si disa skena eksperimentale të teatrit bashkëkohor e megjithatë ato janë hapësira të improvizuara ngjashëm me ato në të cilat aktorë e regjisorë punuan gjatë sistemit paralel apo edhe me ato hapësira të improvizuara të kampeve të refugjatëve, që e pasuan rezistencën dhe aparteidin.

Rrëfimet, të vendosura secila në një hapësire të zbrazët të improvizuar, janë një homazh i drejtperdrejtë për atë kohë, ata artistë që e jetësuan dhe në veçanti atij teatri ilegal.

Ekspozita do të jetë e hapur cdo ditë pune në Qendrën e Dokumentimit Kosovë deri më datë 24 tetor 2023. Mbështetur nga: Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme.