Lajme

U hap ekspozita 'Albumi Familjar - Mes Kujtimit dhe Realitetit'

09.02.2023, 16:26

Dje, më 8 janar 2023 në hapësirën e Qendrës së Dokumentimit Kosovë, u hap ekspozita e përkohshme e artistit bashkëkohor, Alban Muja. Vepra ‘Albumi Familjar – Mes Kujtimit dhe Realitetit’ u shfaq për publikun duke tërhequr një paralele me ekspozitën ‘Na Ishte Një Herë Që Kurrë Mos Qoftë’ që është e vendosur aty që nga viti 2019.

Video instalacioni i përbërë nga tri video: Besa, Besim & Jehona dhe Agim, të emëruara në bazë të vetë protagonistëve, të cilët rikujtojnë momentet e vështira të përjetuara gjatë periudhës së luftës, qëndrojnë si një tregim shprese duke qenë se ata janë fëmijë të asaj kohe, të cilët fatmirësisht e rrëfejnë vetë historinë e tyre të luftës, ose më detajisht historinë e imazhit të tyre në luftë.

Kjo vepër për herë të parë u shfaq në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e 58-të të Artit në Venedik dhe përgjatë bisedës në hapje, artisti tregoi historinë prapa ‘Albumit Familjar’ dhe se si kjo vepër është nisur nga një foto e tij personale gjatë luftës në Kosovë.

Alban Muja tregoi për publikun se aty ka lindur ideja që tema e luftës në punën e tij të mos trajtohej në mënyrë të drejtpërdrejtë, por të tregohej nëpërmjet personazheve që janë të portretizuar në fotografitë ikonike.

Tregimet e përzgjedhura nga artisti janë tregime të mbijetesës së një populli, të përfaqësuarar nëpërmjet imazheve të fotoreporterëve. Këto imazhe/fotografi që edhe e përbëjnë atë që për artistin është albumi familjar – ndër tjerash kanë qenë imazhe të rëndësishme të ikonografisë së luftës së Kosovës që kanë prekur ndjeshmërinë e një publiku të gjerë ndërkombëtar.

Vizitoni ekspozitën ‘Albumi Familjar – Mes Kujtimit dhe Realitetit’ cdo ditë pune nga ora 09:00 deri në orën 16:00 në Qendrën e Dokumentimit Kosovë.

Ky projekt mbështetet nga Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme dhe NED.