Në datën 02 shkurt të vitit 2024 trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore të Prishtinë e ka shpallur aktgjykimin kundër të pandehurit Dushko Arsiq me të cilin e ka shpallur fajtor për krime lufte kundër popullatës civile dhe e ka dënuar me 13 vite burgim.
Sipas gjykatës i pandehuri Dushko Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe gjatë periudhës janar - qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin, plaçkitjen, djegien e pronës, keqtrajtimin dhe vrasjen e civilëve shqiptarë në komunën e Prishtinës/Priština, e me theks të veçantë në keqtrajtim të Artan Krasniqit.
Gjatë shqyrtimit kryesor i dëmtuari Artan Krasniqi dhe dëshmitarët tjerë të propozuar nga prokuroria kanë dëshmuar kryesisht për ngjarjen e datës 20 prill të vitit 1999 e cila ka ndodhur në fshatin Butovc/Butovac të Komunës së Prishtinë/Priština, ku atë ditë sipas të dëmtuarit Artan Krasniqi i pandehuri Dushko Arsiq ka marrë pjesë në keqtrajtimin e tij fizik dhe psikik. Në ato momente dikush nga pjesëtarët e grupit të forcave serbe, pjesë e të cilit ka qenë edhe i pandehuri, kanë shtënë me armë të zjarrit në drejtim të Brahim Shalës i cili ndodhej dhjetëra metra larg të dëmtuarit dhe i cili ishte plagosur dhe më vonë është gjetur i vdekur.
Përkundër kësaj gjykata e shpalli fajtor të pandehurin edhe për pjesëmarrje në dëbim, plaçkitje, djegie të pronës, keqtrajtim të civilëve dhe vrasje të civilëve të tjerë, duke u thirrur në shumës apo në veprimet të cilat i kanë kryer forcat serbe në rajonin e Prishtinës/Priština gjatë periudhës janar - qershor 1999 e për të cilat veprimet nuk janë administruar provat direkte të cilat mund të ndërlidhen me përgjegjësinë individuale të të pandehurit. Në shpalljen e aktgjykimit, veprimet konkrete inkriminuese të të pandehurit janë përmendur vetëm në lidhje me keqtrajtimin fizik the psikik të të dëmtuarit Artan Krasniqi.
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë konsideron se është duke u vendosur një praktikë që në aktgjykimet për krime lufte nuk specifikohen veprimet konkrete të të pandehurve, por ato përgjithësohen në veprimet e një grupi dhe krijohet bindja se një anëtar i grupit dënohet për veprimet inkriminuese të peronave tjerë. Kjo praktikë duhet ndërprerë dhe duhet arsyetuar
secilin veprim inkriminues të të pandehurve dhe të jepet dënimi për secilin prej tyre veç e veç, e pastaj të jepet dënimi i unifikuar. Në këtë mënyrë publiku mund ta ketë shumë më të qartë se për cilat krime dënohet i pandehuri.
I pandehuri Arsiq është arrestuar në datën 8 dhjetor të vitit 2021 nga Policia e Kosovës kurse në datën 2 nëntor të vitit 2022 është ngritur aktakuza. Që nga dita e arrestimit i pandehuri Arsiq ndodhet në paraburgim.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.