Lajme

Trajnim për gjyqësorin kosovar në fushën e krimeve të luftës

14.10.2022, 15:14

Në datën 11 dhe 12 tetor të vitit 2022, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë kanë organizuar trajnimin për krimet e luftës për gjyqtarë, prokurorë dhe bashkëpunëtorë profesional të cilët merren me procedimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Temat të cilat janë trajtuar gjatë këtij trajnimi kanë qenë: Historiku i proceseve gjyqësore për krimet e luftës në Kosovë; Përvoja e shtetit të Kroacisë në procedimin e gjykimeve në mungesë për krimet e luftës; Korniza ligjore e shtetit të Kosovës në gjykimin e krimeve të luftës në mungesë; Politikat ndëshkimore për krimet e luftës dhe zbatimi i ligjit penal; Përgjegjësia penale individuale sipas formave të përgjegjësisë komanduese dhe ndërmarrjes së përbashkët kriminale; si dhe Hulumtimi i bazës së të dhënave të TPNJ-së.

Trajnues të angazhuar në këtë trajnim ishin: Jasmina Dolmagić - prokurore nga Kroacia, Drita Hajdari - prokurore speciale në PSRK, Valon Kurtaj - gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe Amer Alija - koordinator dhe analist ligjor në FDHK.

Pjesëmarrësit në këtë trajnim kanë qenë gjyqtarë të Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit-Departamenti Special dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës-Departamenti Special, prokurorë special të PSRK dhe bashkëpunëtorë profesional të cilët merren me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte shkëmbimi i përvojave mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Kroacisë në procedimin e rasteve të krimeve të luftës.

FDHK dhe Akademia e Drejtësisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen që të organizojnë trajnimet në fushën e krimeve të luftës me ekspertë rajonal dhe ndërkombëtarë.

Ky trajnim është realizuar në bashkëpunim mes FDHK dhe Akademisë së Drejtësisë nën mbështetje të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës përmes Ambasadës së Zvicrës në Kosovë dhe NED (National Endowment for Democracy).