Saopštenje

Fati i të zhdukurve në luftëra në vitet nëntëdhjetë në Ballkan: obstruksion në vend të perspektivës civilizuese dhe dimensionit human

29.08.2019, 19:13

Koalicioni KOMRA i bënë ftesë qeverive të vendeve post-jugosllave që ta fillojnë aksionin e zgjidhjes së fatit të 10,167 personave të zhdukur në lidhje me luftën në hapësirën e Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës (B dhe H) dhe Kosovës. Së paku 1,300 persona herën e fundit janë parë në një prej objekteve të paraburgimit në B dhe H. Është parakusht që komisionet qeveritare të ndalen së paraqituri si zëdhënës të interesave të partive në pushtet dhe që, së këndejmi, ndaj të gjitha viktimave të marrim qëndrim të barabartë dhe në interes të familjeve dhe të publikut të njohin fatin e personave të zhdukur. Fakti se në vitin 2019 janë identifikuar mbetjet mortore të vetëm 85 personave, prej tyre 60 persona të zhdukur në luftën në B dhe H dhe 25 të zhdukur në hapësirën e Kroacisë, tregon për aleancën në obstruksionin e zgjidhjes së trashëgimisë së rëndë të së kaluarës së përbashkët. Brengos praktika se nuk po fillojnë zhvarrosjet e lokacioneve të njohura të varrezave masive. Ka tregues serioz që organet e caktuara shtetërore, siç është Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë, si dhe komandantët e formacioneve të luftës disponojnë me të dhëna mbi një numër të madh të lokacioneve të varrezave masive, por se këto informacione ruhen në kuadër të „fshehtësive zyrtare“ dhe në arkiva private.

Koalicioni për KOMRA-n posaçërisht e tërheq vërejtjen se çështja e personave të zhdukur në lidhje me luftën në Kosovë në mënyrë të skajshme është politizuar, se politikanët dhe liderët e shoqatave të viktimave po e rrisin numrin e personave të zhdukur që i takojnë bashkësisë së tyre etnike, se mediet pro-qeveritare po e përforcojnë bindjen se vetëm njëra palë është viktimë, kurse të tjerët janë “kriminelë” dhe se plotësisht ka humbur perspektiva civilizuese dhe dimensioni humanitar i problemit të personave të zhdukur.

Sipas të dhënave të FDH dhe të FDH Kosovë, fati i 1,669 personave të zhdukur në lidhje me luftën në Kosovë ende është i panjohur (1,100 shqiptarë, 419 serb dhe 150 të tjerë). Brengosin shumë të dhënat se në mesin e personave të zhdukur janë 264 gra, 287 deri në moshën 25 vjeçe, 466 persona të moshës prej 41 deri 60 vjeçe, dhe 469 persona, të cilët në kohën e zhdukjes kanë qenë më të vjetër se 60 vite.