Mediji o nama

`DWP Balkan: NA ISHTE NJË HERË QË KURRË MOS QOFTË

10.12.2019, 18:40

NA ISHTE NJË HERË QË KURRË MOS QOFTË


Intervistë me Dea Dedin

“Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” është duke u shfaqur në Qendrën e Dokumentimit të Kosovës (QDK) në Prishtinë. QDK-ja është projekt i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) të Kosovës, një organizatë vendore që mbledh të dhëna për shkeljen e të drejtave të njeriut që nga viti 1997. E themeluar në vitin 2017, QDK-ja është hapësirë ekspozuese dhe edukative, e krijuar për të angazhuar publikun në hulumtimin e FDH-së dhe për të shërbyer si burim i qasshëm i drejtësisë tranzicionale.

Si erdhi projekti “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”?

Është bërë pak për të memorializuar të kaluarën në Kosovë. Shteti nuk i ka dhënë përparësi përkujtimit të viktimave civile të luftës në përgjithësi. Është sidomos shqetësuese se një nga temat më të ndjeshme, vdekja e fëmijëve, ka qenë edhe më e shpërfillura. Deri tani, nuk ka asnjë ditë simbolike për të përkujtuar këtë kategori të viktimave.

Përgjatë shumë viteve, FDH ka mbledhur informacion për viktimat e krimeve të luftës, ushtarët e vrarë dhe ata që u rrëmbyen dhe u zhdukën në Kosovë para dhe gjatë luftës. Duke iu referuar këtij hulumtimi të gjerë, të zhvilluar ndër shumë vite, FDH publikoi Librin e kujtimeve të Kosovës, që shërben si përkujtim për viktimat e luftës në Kosovë gjatëvitit 1998. Libri përmban narrative të shkurtra dhe të personalizuara për këta individë në mënyrë që t’u japë jetë kujtimeve për njerëzit që shpeshherë janë përmendur vetëm si numër.

Numri i lartë i fëmijëve viktima nga lufta në Kosovë, që gjithashtu është relativ ndaj numrit të përgjithshëm të viktimave dhe mungesa e vëmendjes, që u është kushtuar atyre dhe historive të tyre, na bëri të inicojmë “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë.” Gjatë asaj kohe janë vrarë 1,024 fëmijë dhe 109 ende janë të pagjetur. E pamë nevojën t’i përkujtojmë këto viktima të reja. Të gjithë pajtohen se këta fëmijë ishin viktima. Në këtë pikë nuk ka hapësirë për diskutim – rrëmbimi dhe vrasja e fëmijëve është krim. Ne duam të rrëfejmë historitë e tyre.

Si ishte procesi i mbledhjes së gjërave personale dhe historive të fëmijëve?

Duke shfrytëzuar të dhënat që kemi mbledhur për shumë vite, ne filluam të kontaktojmë familjet e fëmijëve të pagjetur dhe të vrarë. I intervistuam ata dhe shpresonim të mblidhnim gjërat e tyre personale dhe fotografi që t’i ekspozonim bashkë me historitë e tyre. Mirëpo, pasi kontaktuam me familjet, e kuptuam se pjesa më e madhe e tyre nuk kishin asgjë (gjëra personale ), pasi shumica e shtëpive të tyre ishin djegur. Ndonjëherë, familjet as nuk kishin foto të fëmijëve të tyre.

Por, ajo që pamë ishte gatishmëria e madhe nga familjet që të bashkëpunonin, madje edhe nga familjet që nuk kishin më asnjë gjë të fëmijëve. Ata e përkrahën idenë dhe ende donin që historia e tyre të dëgjohej. Kjo ishte hera e parë që po bëhej diçka publikisht për të përkujtuar fëmijët e tyre.

Çfarë keni përfshirë në ekspozitë?

Nga totali i 1,133 fëmijëve të vrarë ose të pagjetur, 100 ishin joshqiptarë, përfshirë 50 nga komuniteti serb. Duke përdorur hapësirën në dispozicion në QDK, punuam me atë çka kishim, pra rreth 20 gjëra personale fizike të ndryshme të fëmijëve të vrarë apo të pagjetur nga pjesë të ndryshme të Kosovës, plus disa fotografi. Këto i ekspozuam bashkë me historitë e tyre. Shumica e fëmijëve në ekspozitë ishin nga komuniteti shqiptar. Dy nga gjërat personale që gjetëm u përkisnin një vëllai dhe një motre nga komuniteti serb. Ishte sidomos e vështirë të gjeje familje nga komunitetet serb dhe joshqiptarë, pasi shumica janë larguar nga Kosova. Ne vazhduam t’i kërkojmë këto familje, pasi donim të përfshinim sa më shumë histori të fëmijëve që të ishte e mundur. Këto janë historitë që duhen treguar.

Si reaguan familjet ndaj ekspozitës?

Ky projekt është mbështetur tek bashkëpunimi i familjeve, për të punuar me ne dhe për të ndarë historitë e tyre.

Gatishmëria e familjeve për të bashkëpunuar me ne dhe me njëri-tjetrin na tregoi se komunitetet mund të bëhen bashkë në pikëllimin e tyre. Në njëfarë mënyre, ekspozita ishte simbol i pajtimit. Familjet ishin të lumtura që fëmijët e tyre po përkujtoheshin krahas fëmijëve nga komunitete të ndryshme. Prindërit patën mundësinë të takohen dhe të lidhen me njëri-tjetrin. Në ngjarje morën pjesë shumë njerëz, gjë që na tregoi interesimin e lartë për këtë temë nga publiku i përgjithshëm, OSHC-të dhe komuniteti ndërkombëtar.

Gjatë hapjes së ekspozitës, secila familje i shoqëronte familjet e tjera tek gjërat e tyre dhe shpjegonin historitë e tyre. Ishte diçka shumë emocionuese. Njerëzit përqafoheshin, edhe ata që nuk ishin të përfshirë. Ishte një atmosferë trishtimi dhe mirënjohjeje, që të mbushte me emocione.

Cili ishte ndikimi i ekspozitës tek vizitorët?

Mënyra si rrëfehen historitë – fokusin e kemi vënë tek jetët e fëmijëve. Vizitorëve u sollëm ndjesinë e përditshmërisë së këtyre fëmijëve. Përgjithësisht, historitë bëjnë fjalë për fëmijëri të thjeshta, që vizitorëve u sjellin ndër mend fëmijërinë e vet.

Më pas ne prezantuam mënyrën se si këta fëmijë humbën jetët.

Kjo mënyrë për ndërlidhje pati ndikim të fuqishëm. E pamë se nxiti ndjesinë e empatisë për viktimat dhe vetëdije më të lartë për atë që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

Meqë në ekspozitë nuk paraqitet dhunë grafike, ajo është e përshtatshme për t’u vizituar edhe nga fëmijët. Prindërit sidomos e panë ekspozitën si një mënyrë të mirë për të hapur me fëmijët e tyre temën e së kaluarës tonë dhe të diskutojnë për atë që ka ndodhur në Kosovë në atë kohë.

Çfarë tjetër keni planifikuar për “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë?”

Ne synojmë ta zgjerojmë ekspozitën për të përfshirë histori të më shumë fëmijëve. Tani ka më shumë familje që po vijnë në qendër, që duan të ndajnë historitë e tyre. Duam të krijojmë hapësirë për të gjithë ata.

Dikur, duam që ta shndërrojmë në ekspozitë shëtitëse, t’i japim vizibilitet në të gjithë rajonin dhe të nxisim më shumë familje që të deklarohen.

Po punojmë për krijimin e një hapësire të përhershme për ekspozitën. Për këtë, kemi përkrahjen e familjeve. Mirëpo, që kjo të materializohet, na nevojitet ndihma dhe përkrahja e insitucioneve shtetërore.

Dea Dedi është menaxhere e Qendrës së Dokumentimit të Kosovës (QDK), projekt i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH). QDK-ja funksionon që nga viti 2017 dhe shërben si qendër e centralizuar e të dhënave, ku publiku i përgjithshëm mund të kërkojë të dhëna që kanë të bëjnë me drejtësinë tranzicionale dhe me ballafaqimin me të kaluarën në Kosovë. Ajo, gjithashtu, luan rol kyç në aktivitetet sensibilizuese dhe informuese të FDH-së dhe është strehë e kujtesës kolektive të bazuar në fakte.

_______________________________________________________________________

Revista mund të gjendet në linkun: http://www.dwp-balkan.org/ko/bpm.php?cat_id=6&text_id=2