Pas Kamenicës dhe Gjilanit, ekspozita multimediale ‘TPNJ: Rasti i Kosovës 1998-1999’ është hapur sot edhe në Pejë. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për 5 ditë me rradhë nga ora 09:00 deri në orën 18:00.
‘TPNJ: Rasti i Kosovës 1998-1999’ paraqet se si krimet e kryera në Kosovë janë hetuar, rindërtuar dhe ndjekur penalisht nga TPNJ.
Nëntë videot, me një kohëzgjatje prej 97 minutash, ofrojnë dëshmi për: negociatat e dështuara dhe fillimin e konfliktit në Kosovë, sfidat me të cilat u përball TPNJ gjatë hetimit të krimeve të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës, si dhe modelin e krimeve të shpjeguara nga të mbijetuarit dhe dëshmitarët të vrasjeve masive. Videot tregojnë se si ishin fshehur krimet dhe si u transportuan trupat e viktimave në varreza masive.
Videot gjithashtu paraqesin gjetjet e vendimeve të Tribunalit të Hagës në rastet kundër udhëheqjes politike, ushtarake dhe policore serbe në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, si dhe krimet e kryera në zonat përgjegjëse të UÇK-së.
Ekspozita në Pejë u realizua në bashkëpunim me kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’ si dhe me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.