Lajme

Hapet ekspozita “Gjindemi mirë” nga Manushaqe Ibrahimi dhe Çlirimtare Januzaj

09.10.2026, 11:42

Dje, më 8 tetor 2026, u hap ekspozita “Gjindemi mirë”, projekt fitues i edicionit të katërt të thirrjes për projekte artistike “DwP Creations”.

Ekspozita u hap në ish-bibliotekën “Hivzi Sulejmani” te Qafa dhe do të qëndrojë e hapur deri më 6 nëntor 2026, çdo ditë pune, nga ora 12:00 deri në 16:00.

Kjo ekspozitë e autoreve Manushaqe Ibrahimi dhe Çlirimtare Januzaj e kuruar nga Blerta Hoçia përshkon arkivat personale dhe ato publike, mediat e kohës, materialet e gazetarëve e të fotoreporterëve dhe ndalet për të dëgjuar rrëfimet e personave që e kanë jetuar atë moment. Duke u nisur së pari, si ndodh shpesh, nga rrëfimet e përjetimet e prindërve dhe familjarëve, ku historitë dhe traumat e bashkëndara marrin përmasa universale e ku secili gjen një copëz të vetes së dikurshme të groposur thellë në kujtesë.

Si pjesë e hulumtimit të saj, Manushaqja ka përfshirë edhe arkivat personale të babait, i cili për një kohë të gjatë ka ruajtur, së bashku me kujtimet luftës edhe një numër videokasetash me programet e TVSH-së shqiptare, ku një botë e pastër e kompozuar bukur shfaqej si atdheu ideal, ai vend që i përkasim dhe na përket. Artistja shkëput nga këto imazhe në lëvizje vetëm peisazhet me male, pyje, fusha e njerëz që punojnë tokën nën tingujt e një Shqipërie të lulëzuar. Dhe këtë, na e prezanton së bashku me vendin e vërtetë që gjetën të dëbuarit e luftës në kampet e Kukësit, Tropojës, Durrësit etj. Një kontrast që fuqizohet me pamjen e lajmërimeve origjinale të fotografuara dhe riprintuara për ekspozitë e që i mbivendosen këtij peisazhi.

Puna e dy autoreve ndërthuret si konceptualisht ashtu edhe në jetën reale. Duke ndjekur një hartë sa personale aq edhe kolektive, Çlirimtarja niset nga një fotografi e shkrepur në kohën dhe vendin ekzakt ku ajo ka lindur, në tendën e një kampi refugjatësh në Kavajë të cilën e ndan me publikun si një gjurmë të padukshme të kohës. Nga aty vizaton një linjë që përshkon vendet dhe momentet e rëndësishme, bën bashkë kujtimet dhe personat që i mbajnë ato nëpërmjet intervistave dhe emocioneve që akoma janë pjesë e atij rrugëtimi të largët.

Kjo është edhe arsyeja pse kjo ekspozitë i kushtohet këtij momenti, atë, ku pas largimit në kushte të jashtëzakonshme, rrugës së gjatë për të arritur në kufi me Shqipërinë ose Maqedoninë, rrëmujës, dhimbjes, pasigurisë për veten, familjen, të afërmit e shtëpinë, pas këtij momenti, mbërritja por jo edhe shpëtimi.

Faleminderit të gjithëve që na u bashkuat dje në hapje!

Ky projekt u mbështet nga: Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme dhe NED.