Familjet e fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, që siguruan fotografi dhe sende personale për një ekspozitë të suksesshme në Prishtinë, tani po kërkojnë që të ngrihet një muze i përhershëm në kujtim të këtyre fëmijëve.
Dea Dedi, menaxhere e Qendrës për Dokumentim në Fondin për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, i cili organizoi ekspozitën, tha për BIRN se të afërmit e fëmijëve, fotografitë dhe sendet personale të të cilëve janë ekspozuar, po bëjnë thirrje të gjendet një vend i përhershëm për t’i ekspozuar këto sende.
Ekspozita në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në qendër të Prishtinës, e titulluar “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, përfshin fotografi dhe sende personale si rroba dhe lodra që përkujtojnë më shumë se 600 fëmijë që u vranë gjatë luftës 1998-1999.
“Ne po përballemi me kërkesa të mëdha që ekspozita të qëndrojë e hapur përgjithmonë”, tha Dedi.
Që nga hapja e saj në vitin 2019, mijëra njerëz e kanë vizituar ekspozitën e cila u organizua në kujtim të 1,024 fëmijëve që u vranë dhe 109 fëmijëve që u zhdukën në mes të konfliktit.
Lexoni artikullin e plotë këtu.