Lajme për DT

Balkan Insight: Familjet e boshnjakëve të zhdukur nga lufta bëjnë thirrje për veprim

15.02.2021, 13:26

Familjet e 80 personave që u zhdukën në zonën e Brodit gjatë luftës në Bosnjë duan të bëhet më shumë për të gjetur të afërmit e tyre, por zyrtarët thonë se ata kanë nevojë për më shumë informacione në lidhje me vendet ku ndodhen varret e fshehta.

Marko Grabovaç, president i Shoqatës për Kërkimin e Personave të Zhdukur në Komunën Bosanski Brod, tha për BIRN se asnjë nga 80 personat që u zhdukën në zonën e Brodit në Bosnjën veriore gjatë luftës nuk është gjetur ende në dy vitet e fundit.

Grabovaç, i cili është gjithashtu një anëtar i bordit këshillimor në Institutin boshnjak për Personat e Zhdukur, tha se duhet bërë më shumë për të gjetur trupat e atyre që u zhdukën, shumë prej të cilëve ishin të moshuar kur u morën nga shtëpitë e tyre gjatë luftës së viteve 1992-1995.

“Disa janë gjetur në varre masive. Shumë pak persona të moshuar u shkëmbyen (u liruan në shkëmbime të burgosurish) ose mbetën gjallë”, tha ai.

Ai vuri në dukje se shumica e 88 viktimave të luftës që u gjetën në varrin më të madh masiv në zonën e Brodit, e cila para luftës njihej si Bosanski Brod, ishin njerëz të moshuar.

Grabovac është ende në kërkim të trupit të nënës së tij, e cila ishte 82 vjeçe kur u zhduk.

“Nëna ime u zhduk afër shtëpisë së saj në fshatin Lijesce në maj 1992. Disa gra të moshuara u kapën dhe u çuan në një drejtim të panjohur”, tha ai.

Një tjetër banore e Brodit, Jelica Kusljiç, i tha BIRN se këto 29 vitet e fundit ajo ka qenë në kërkim të eshtrave të nënës së saj, Draginja Sukurma.

“Nëna ime u vra nga një granatë në oborrin e saj në fshatin Lijesce më 10 maj 1992. Ajo është zhdukur pa asnjë gjurmë që nga ajo kohë. Askush nuk di asgjë”, tha Kusljiç.

“Unë isha në Serbi me fëmijët e mi në atë kohë. Nuk zbuluam dot kurrë se ku përfundoi ajo. Nuk ka absolutisht asnjë gjurmë të saj”, shtoi ajo.

Ajo tha se ishte e pakënaqur me përpjekjet zyrtare për të gjetur personat e zhdukur nga koha e luftës.

“Askush nuk përpiqet shumë për t’i gjetur ata njerëz. Besoja se do t’i kishin gjetur eshtrat e saj deri tani, por nuk ka ndodhur”, tha ajo.

Lexoni artikullin e plotë këtu.