Trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë (i kryesuar nga gjyqtari Valon Kurtaj[1]), në datën 05 tetor të vitit 2021, të pandehurin Goran Stanishiq e ka shpallur fajtor për krime lufte kundër popullatës civile dhe i ka shqiptuar dënim me burgosje prej njëzet (20) vitesh, i cili është edhe maksimumi i dënimit për këtë vepër penale, sipas Ligjit Penal të RSFJ-së, i cili është më i favorshëm në këtë rast.
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) e ka monitoruar në mënyrë sistematike gjykimin kundër të akuzuarit Stanishiq. Në bazë të monitorimit të gjykimit, FDHK gjen se gjykimi ka qenë i drejtë dhe janë respektuar të drejtat e palëve në procedurë, përkundër vështirësive në organizimin e gjykimit për shkak të pandemisë COVID-19. Aktgjykimi është shpallur pas mbajtjes së 15 seancave gjyqësore, ku janë dëgjuar 22 dëshmitarë, në mesin e tyre edhe e dëmtuara A1.[2]
Në lidhje me provat e paraqitura gjatë shqyrtimit kryesorë disa dëshmitarë të prokurorisë e kanë identifikuar praninë e të pandehurit në vendin dhe kohën kur ka ndodhur dëbimi dhe vrasja e civilëve shqiptarë. Mirëpo deklaratat e disa dëshmitarëve okularë të dhëna në misionin e UNMIK-ut, dhe më pas tek Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kanë pasur mospërputhje sa i përket pjesëmarrjes së të pandehurit Stanishiq në vrasjen e civilëve.
FDHK rezervohet që në këtë moment ta komentojë aktgjykimin dhe lartësinë e dënimit derisa ta merr aktgjykimin në formë të shkruar së bashku me arsyetimin e këtij vendimi. Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues nuk ka dhënë kurrfarë arsyetimi lidhur me vendimin e shpallur. Prandaj ka mbetur e panjohur se në cilat prova është mbështetur trupi gjykues kur e ka marrë vendimin mbi dënimin e të pandehurit. Mungesa e arsyetimit të vendimit mbi dënimin është në kundërshtim me nenin 366, paragraf 2 të KPPRK-së. Ky nen parasheh që pas leximit publik të dispozitivit të aktgjykimit duhet të kumtohet shkurtimisht edhe arsyetimi i aktgjykimit, përkatësisht provat në të cilat është bazuar trupi gjykues. Po ashtu, është e domosdoshme që me këtë rast, gjykata të jep edhe arsyetim lidhur me rrethanat rënduese apo lehtësuese, të cilat kanë ndikuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet me burgim maksimal.
Me datën 06 shkurt të vitit 2020, PSRK[3] ka ngritur aktakuzë kundër Goran Stanishiqit, i cili akuzohet se në cilësinë e pjesëtarit të forcave policore rezerve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, gjatë periudhës 15 dhe 16 prill të vitit 1999, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Sllovi/Slovinje dhe Tërbovc/Trbovce të Komunës së Lipjanit/Lipjlan, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, mori pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e vrasjeve të 13 civilëve shqiptarë dhe plagosjen e A1. Gjykata e shkallës së parë e ka shpallur fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
[1] Anëtarët e trupit gjykues, Musa Konxheli dhe Valbona Musliu Selimaj.
[2] A1 është pala e dëmtuar e cila ishte plagosur me datën 16 prill të vitit 1999 në afërsi të fshatit Tërbovc/Trbovce.
[3] Aktakuza është ngritur nga Prokurorja Speciale, Drita Hajdari.