Komunikata për media

Filloi gjykimi i parë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës

15.09.2021, 15:26

Gati një vit që nga arrestimi i Salih Mustafës, i cili ishte edhe i arrestuari i parë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të Kosovës, me datën 15 shtator të vitit 2021 filloi shqyrtimi kryesor ndaj tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht pranë trupit gjykues. 


Salih Mustafa ishte komandant i njësitit BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).


Nga ZPS akuzohet për krimet e luftës (ndalimi arbitrar, trajtimi mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme), ku aktakuza e ngarkon me përgjegjësi penale individuale sipas përgjegjësisë së ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe përgjegjësisë komanduese për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash/Zlaš.


Në kuadër të projektit “Monitorimi i punës dhe seancave gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Përfshirja e Rinisë në Sektorin e Drejtësisë”, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) është duke i monitoruar proceset gjyqësore, ku kohë pas kohe do të publikon buletine dhe analiza mbi punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës të cilat do t’i shërbejnë publikut të gjerë për të qenë më të informuar mbi ecurinë e çështjeve gjyqësore. 


Ky projekt përkrahet nga Zyra Federale për Punë të Jashtme e Gjermanisë përmes Ambasadës Gjermane në Prishtinë.