Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë, shprehin shqetësim për situatën e krijuar me rastin e kthimit të znj. Dragica Gašić në qytetin e Gjakovës dhe në veçanti për veprimet ligjore të ndërmarra nga ana e Komunës së Gjakovës kundrejt saj.
Më 06 korrik 2021, Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku si objekt i kësaj padie ishte “kërkesa për anulimin e kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme.” Në të njejtën kohë, Komuna e Gjakovës ka kërkuar që të paditurës t’i caktohet një përfaqësues ligjor i përkohshëm, pasi që të njejtës nuk i dihet vendbanimi.
Ne konsiderojmë që një veprim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe nuk është në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht bie ndesh me nenin 156 të saj, me titull “Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur brenda vendit”, ku thuhet se Republika e Kosovës promovon dhe lehtëson kthimin e sigurt dhe me dinjitet të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit dhe u ndihmon atyre për kthimin e pronave dhe posedimeve të tyre. Znj. Gašić posedon dokumentet e nevojshme, me të cilat ajo vërteton të drejtën e saj për shfrytëzim të pronës, e drejtë kjo e cila i është dhënë me vendimin e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verfikim të Pronës. Kjo Agjenci duke pasur për bazë kërkesën e znj. Gašić, më 9 qershor 2021 e kishte liruar banesën e saj duke e larguar familjen e cila kishte qenë aty, për ta mundësuar kthimin e znj. Gašić në atë banesë.
Duke pasur parasysh se veprimet e znj. Gašić kanë qenë konform procedurave për kthim, duke mos cënuar apo rrezikuar asnjë person tjetër, konsiderojmë se situata e krijuar si rezultat i ardhjes së saj dhe ndërmarrja e veprimeve ligjore, janë në kundërshtim me frymën demokratike dhe multietnike të shtetit të Republikës së Kosovës dhe nuk kontribuon në procesin e ballafaqimit me të kaluarën.
Prandaj i bëjmë thirrje autoriteteve lokale të Gjakovës që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e tërhequr padinë ndaj znj. Gašić, dhe duke ia lehtësuar kthimin dhe qëndrimin e saj në Gjakovë.