Komunikata për media

FDH Kosovë dënon ashpër deportimin e gjashtë shtetasve turq në mënyrë arbitrare

30.03.2018, 19:37

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë), ashpër e dënon deportimin urgjent dhe të fshehtë të gjashtë shtetasve turq (pesë arsimtarëve dhe një mjeku) nga territori i Republikës së Kosovës në vendin e tyre amë.

 

Ky deportim është i pashembullt në praktikën e deritashme dhe përbënë shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave fundamentale të qytetarëve, të cilat duhet të jenë të shenjta në një shtet i cili dëshiron të bëhet pjesë e sistemit evro-perëndimor.

 

Në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq janë shkelur:

 

  • parimet themelore ndërkombëtare dhe standardet mbi deportimin, sepse nuk është marrë fare parasysh fakti se në rastin e deportimit të gjashtë qytetarëve të Turqisë është fjala për kundërshtarët politikë të regjimit aktual turk dhe për këtë arsye ata mund t’i ekspozohen shkeljes së rëndë të të drejtave të tyre nga ana e regjimit turk. Deportimi i djeshëm përbënë shkelje të rëndë të konventave ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, por edhe të Ligjit mbi bashkëpunimin juridik ndërkombëtar të Kosovës, i cili në nenin 14 parasheh se nuk mund të dorëzohet personi i cili mund të jetë subjekt i veprës politike penale si edhe atëherë kur nuk mund të garantohet se personi i dorëzuar mund të ketë garanci minimale për gjykim të drejtë të paraparë me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe nenit 6 të Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut;

 

  • standardet themelore kushtetuese të Republikës së Kosovës mbi trajtimin ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve në territorin e Republikës së Kosovës, si të shtetasve të vet, ashtu edhe të atyre, të cilët në mënyrë legale banojnë në vendin tonë;

 

  • të drejtat themelore mbi statusin e shtetasve të huaj në territorin e Republikës së Kosovës;

 

  • parimet themelore dhe normat të cilat ua mundësojnë ndihmën juridike personave, për të cilët dyshohet se kanë ardhur në konflikt me ligjin. Gjashtë qytetarëve të deportuar turq nuk iu është mundësuar që të kontaktojnë me avokatët e tyre si dhe nuk iu është mundësuar e drejta që të ankohen ndaj vendimit mbi deportimin. Me vendim arbitrar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjashtë të deportuarit thjesht në mënyrë të dhunshme dhe të kundërligjshme janë dëbuar nga vendi, në të cilin kanë gëzuar reputacionin e qytetarëve të ndershëm, dhe

 

  • parimet themelore humanitare dhe standardet mbi trajtimin e personave të burgosur (dhe të dyshuar, por jo të dënuar në mënyrë të plotfuqishme) që të krijojnë kontakte me anëtarët e familjeve të tyre para se të jenë deportuar.

 

Personat e deportuar në Kosovë kanë banuar me leje shumëvjeçare të qëndrimit, me anëtarët e familjeve të tyre, të cilët deri në momentin e burgosjes në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në njërin prej segmenteve më të ndjeshme të shoqërisë kosovare – në sistemin arsimor dhe në edukimin e të rinjve. Kjo i dërgon botës një imazh negativ mbi Kosovën.

 

FDH Kosovë vlerëson se nuk është e mjaftueshme vetëm të identifikohen “fajtorët” dhe të shkarkohen udhëheqësi i AKI-së dhe ministri i punëve të brendshme, për njollën e djeshme e cila i është shkaktuar imazhit të Kosovës. Që diçka e këtillë të mos ndodh më kurrë  është e nevojshme të vërtetohet përgjegjësia politike për shkeljen brutale të të drejtave themelore të njeriut dhe duhet të krijohet një mekanizëm i tillë juridik, i cili në mënyrë të përhershme do të parandalojë mundësinë e lojës me jetët e atyre, të cilët kanë besuar se mund të jenë të sigurt në Kosovë.