Komunikata për media

Romi nga Fushë Kosova dënohet me 10 vite burgosje për krime të luftës

26.10.2018, 19:23

Gjykata Themelore në Prishtinë me panelin shqyrtues, me të cilin ka kryesuar gjyqtari Arben Hoti1 , në datën 25 tetor të vitit 2018 e ka sjellë aktgjykimin, me të cilin të akuzuarin Skender Bislimi e ka shpallur fajtor për veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile nga neni 142 i LP të RSFJ-së, për të cilën ia ka shqiptuar dënimin me burgosje në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh. 


Të akuzuarit i është vazhduar paraburgimi deri në aktgjykimin e plotfuqishëm, krahas vërejtjes së kryetarit të panelit se i njëjti nuk mund të zgjas më shumë se sa dënimi i shqiptuar. 

Paneli shqyrtues, me rastin e shpalljes së aktgjykimit nuk e ka arsyetuar vendimin e tij dhe nuk i ka parashtruar arsyet, mbi bazën e të cilave e ka sjellë aktgjykimin me të cilin dënohet i akuzuari, si dhe as nuk e ka arsyetuar lartësinë e dënimit të shqiptuar. Të njëjtat i ka njoftuar me anë të aktgjykimit me shkrim.

FDH Kosovë në bazë të përcjelljes së rregullt, pa pasur shikim në arsyet dhe provat, me të cilat është udhëhequr me rastin e sjelljes së vendimit, gjen se procedura penale para Gjykatës Themelore ka zgjatur në mënyrë të pabazuar shumë, seancat gjyqësore shumë rrallë janë caktuar, posaçërisht duke e pasur parasysh numrin e dëshmitarëve të dëgjuar dhe të provave materiale të paraqitura gjatë kohës së shqyrtimit kryesor, gjatë kohës sa ka qenë i akuzuari në paraburgim. 

Aktakuza e prokurorisë speciale e datës 4 janar të vitit 2017 e ngarkon Bislimin se në datën 26 mars të vitit 1999 në Fushë Kosovë, në bashkëpjesëmarrje e pakta edhe me një person të njohur2 , si dhe me persona të tjerë të panjohur, pjesëtarë të forcave të armatosura të Serbisë e kanë cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e më shumë se 40 civilëve, burra, shqiptarë, duke i zbatuar masat e frikësimit dhe të terrorit, se në mënyrë të kundërligjshme i kanë privuar nga liria dhe kanë kidnapuar shumë persona, midis të tjerave edhe viktimën Haki Bajrami, trupi i të cilit është gjetur në datën 17 gusht të vitit 2000 në varrezën masive në Dragodan, Prishtinë. 

Procedura penale kundër të akuzuarit lidhur me ngjarjet e përshkruara në aktakuzë është ngritur me vendimin për zhvillimin e hetimeve të datës 08 nëntor të vitit 2012. Hetimet janë ngritur kundër të akuzuarve Bislimi dhe Radivojeviqi. Në kohën e hapjes së hetimeve, i akuzuari Bislimi nuk ka qenë i qasshëm për organet e gjyqësorit deri në datën 30 korrik të vitit 2016, kur është privuar nga liria në B dhe H. Organeve të ndjekjes të Kosovës i është dorëzuar në datën 9 dhjetor të vitit 2016. Aktakuza është ngritur në fillim të muajit janar të vitit 2017. I akuzuari dhe mbrojtja e tij e kanë kundërshtuar të njëjtën. Shqyrtimi kryesor, pas kryerjes së ekzaminimit psikiatrik të të akuzuarit, që është bërë me propozimin e mbrojtjes, është hapur në datën 10 tetor të vitit 2017. Paneli shqyrtues në kuadër të shqyrtimit ka mbajtur seanca 11 ditë gjyqësore gjatë të cilave janë dëgjuar pesë dëshmitarë të prokurorisë dhe një dëshmitar me propozim të mbrojtjes. Dy seanca të panelit janë shtyrë për shkak se dëshmitarët nuk i janë përgjigjur ftesave të gjykatës. dëgjimi i një dëshmitari të prokurorisë është kryer në shtëpinë e dëshmitarit, i cili për shkak të sëmundjes nuk ka mundur të jetë i pranishëm në gjykatë. 


Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës i datës 25 tetor të vitit 2018 është aktgjykimi i parë dënues në lëndët për krimet e luftës i shpallur pas bartjes së kompetencave për procesimin e krimeve të luftës nga ana e gjyqtarëve vendor. 

FDH Kosovë në mënyrë të hollësishme do t'i shpreh qëndrimet e veta lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore pas shikimit të aktgjykimit me shkrim në kuadër të analizës së lëndëve për raportin vjetor të vitit 2018.