Në seancën e datës 06 prill të vitit 2023, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), në rastin Prokurori kundër Salih Mustafës, disa muaj pas shpalljes së aktgjykimit dënues në shkallën e parë, ka lëshuar një urdhër për zhdëmtim të viktimave.
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) këtë urdhër e konsideron si një avancim në realizimin e të drejtës në kompensim të viktimave. Vërtetimi i krimit ndaj viktimave të krimeve të luftës përmes aktgjykimeve gjyqësore, qoftë pranë gjykatave vendore apo ndërkombëtare, i krijon kushtet ligjore për parashtrimin e kërkesës për zhdëmtim. Procedurat e zhdëmtimit të viktimave të krimit mund të bëhen gjatë procedurës penale apo të delegohen në kontest civil. Ky Urdhër, edhe pse unik deri më sot, i bazuar edhe në legjislacionin e Kosovës, duhet të shërbejë si një shembull pozitiv për të gjitha rastet gjyqësore të procedurave në të kaluarën dhe për rastet gjyqësore që do të procedohen në të ardhmen, që viktimave të krimeve të luftës t’i ofrohet e drejta në kompensim dhe kjo e drejtë të jetë efektive dhe në kohë të arsyeshme. Gjithashtu, realizimi i të drejtës në reparacione (dëmshpërblime), është një shtyllë e rëndësishme e drejtësisë tranzicionale, përmes së cilës viktimave iu njihen humbjet e tyre dhe ndikon në kthimin e dinjitetit të tyre.
Institucionet gjyqësore dhe ekzekutive të Kosovës duhet ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje. Gjykatat në Kosovë duhet ta trajtojnë me një rëndësi të veçantë çështjen e kompensimit, qoftë në proceset penale, qoftë kur janë deleguar në konteste civile, në mënyrë që viktimat e krimit ta realizojnë të drejtën në kompensim. Ndërsa qeveria e Kosovës duhet të krijojë legjislacion adekuat dhe mekanizma funksional, të cilët do të ofrojnë realizimin e dëmshpërblimit për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, që janë konfirmuar me vendimet e plotfuqishme që nga përfundimi i luftës.