Në datën 16 dhjetor të vitit 2022 trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës e shpalli aktgjykimin e parë për krimet e luftës kundër Salih Mustafës, i cili gjatë luftës ishte komandant i njësitit BIA të UÇK-së.
Pas mbajtjes së 52 seancave të shqyrtimit gjyqësor dhe dëgjimit të 28 dëshmitarëve, prej të cilëve shumica e dëshmitarëve të prokurorisë kanë pasur identitet të mbrojtur dhe dëshmitë e tyre kanë qenë të redaktuara për publikun, trupi gjykues e ka dënuar Salih Mustafën për veprat penale të ndalimit arbitrarë, torturë dhe vrasje të paligjshme si krim të luftës dhe e ka dënuar me dënim unik prej 26 viteve burgim, kurse për arsye ligjore është liruar për veprën penale të trajtimit mizor.
Krimet për të cilat është dënuar Mustafa kanë ndodhur në qendrën e ndalimit në Zllash/Zlaš gjatë muajit prill 1999, kundër gjashtë (6) civilëve shqiptarë. Gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar se krimet e luftës kanë ndodhur sipas formës së përgjegjësisë së ndërmarrjes së përbashkët kriminale në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të njësitit të BIA ndaj civilëve të ndaluar në Zllash/Zlaš. Është vërtetuar se Mustafa ishte i pranishëm disa herë në qendrën e ndalimit në Zllash/Zlaš dhe i njëjti ka dhënë urdhra, ka marrë pjesë të drejtpërdrejtë në torturimin e dy civilëve dhe ka qenë i vetëdijshëm për ndalimin dhe torturën e cila ka ndodhur nga vartësit e tij kundër të ndaluarve të cilët etiketoheshin si bashkëpunëtorë.
Sipas Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) gjykata me të drejtë i ka përdorur masat mbrojtëse ndaj dëshmitarëve të cilët disa prej tyre kanë qenë edhe të ndaluar në këtë qendër të ndalimit. Ky vendim, duke e krahasuar edhe me praktikat të më hershme të TPNJ dhe proceseve gjyqësore në Kosovës, paraqet një standard të ri të sanksionimit duke dhënë dënim më të lartë.
Aktakuza kundër Salih Mustafës është konfirmuar në datën 12 qershor të vitit 2020, kurse i njëjti është arrestuar në datën 24 shtator të vitit 2020 dhe që nga atëherë gjendet në paraburgim.
Palët në procedurë kanë të drejtë që ta apelojnë vendimin në shkallën e dytë.
FDHK do të del me një analizë të detajuar pas leximit dhe analizimit të aktgjykimit të publikuar me shkrim.