PRISHTINË, 13 qershor 2022 - Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), prezantoi sot në Prishtinë udhëzuesin e tij të titulluar “Drejt: Një Strategjie Kombëtare të Drejtësisë Tranzicionale për Kosovën”, në prezentimin e të cilit u bashkua BE-ja dhe Ministria e Drejtësisë në Kosovë.
Udhëzuesi u hartua nga Thomas Osorio, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Universitetin KU Leuven, Holandë, me përvojë 20 vjeçare në Ballkanin Perëndimor, me çrast ai ka trajtuar të drejtat e njeriut, drejtësinë tranzicionale, çështjet e rimëkëmbjes pas konfliktit dhe dëmshpërblimet, në bashkëpunim me ekspertët e FDHK.
Qëllimi i dokumentit është të shërbej për ta shtyer përpara punën e mëtutjeshme në zhvillimin e Projektstrategjisë së drejtësisë tranzicionale nga Qeveria e Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu tha se: “hartimi i strategjisë kombëtare deri më tani ka qenë sfidues, pasi që institucioneve të Kosovës u mungojnë kapacitetet për të hartuar një strategji të tillë. Prandaj, një udhëzues i tillë si ai i prezantuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë është më se i mirëpritur dhe do të merret në konsideratë.”
Ambasadori i BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog, inkurajoi Qeverinë e Kosovës që të përdorë udhëzuesin në finalizimin e Projektstrategjisë së drejtësisë tranzicionale, e cila do të siguroj që nevojat dhe pikëpamjet e viktimave dhe grupeve të margjinalizuara të merren parasysh.
"Zbatimi i strategjisë për drejtësinë tranzicionale do të ndihmojë në tejkalimin e të kaluarës dhe do të kontribuojë në procesin e pajtimit," tha Szunyog.
Besnik Beqaj, hulumtues në FDHK, prezantoi shkurt pikat kryesore të udhëzuesit dhe theksoi rekomandimet e dokumentit. Ai theksoi se nevojat e viktimave duhet të jenë në fokus të strategjisë.
Prezantimi i udhëzuesit u ndoq me diskutim rreth rëndësisë dhe sfidave në zhvillimin e Strategjisë së drejtësisë tranzicionale në Kosovë mes z. Bekim Blakajt, drejtor Ekzekutiv i FDHK-së dhe kryesuesit të divizionit për drejtësi tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, z. Baki Svirca.
Ata vunë në dukje se ka pasur shumë iniciativa në lidhje me drejtësinë tranzicionale në Kosovë, por se procesit i mungonte qëndrueshmëria dhe se Kosova tani ka nevojë për strategji e cila do të mblidhte dhe ofronte një platformë të përbashkët për të gjitha iniciativat e vazhdueshme të drejtësisë tranzicionale.
Publikimi i udhëzuesit dhe diskutimi janë pjesë e një projekti të quajtur “Transformimi i perceptimeve të konfliktit përmes rritjes së përfshirjes qytetare dhe të komuniteteve në Kosovë” i mbështetur nga BE-ja në Kosovë.
Për më shumë informacion rreth prezantimit të udhëzuesit, ju lutemi ndiqni linkun këtu.
Dokumenti “Drejt: Një Strategjie Kombëtare të Drejtësisë Tranzicionale për Kosovën" është në dispozicion këtu.