Në datën 18 maj 2022, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Charles L. Smith III, i Dhomave të Specializuara të Kosovës publikoi aktgjykimin në rastin Prokurori i Specializuar kundër të pandehurve Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Të dy të pandehurit janë shpallur fajtor për tre vepra penale: shkelja e fshehtësisë së procedurës, frikësim gjatë procedurës penale dhe pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe janë dënuar secili veç e veç me dënim unik prej katër (4) vite e gjashtë (6) muaj burgim.
Për veprën penale të hakmarrjes të dy të pandehurit janë liruar.
Trupi gjykues në arsyetimin e aktgjykimit të shkallës së parë konstatoi se të pandehurit përmes veprimeve dhe deklarimeve të tyre për media kanë shpalosur për publik informacionet e mbrojtura, kanë zbuluar të dhënat personale të dëshmitarëve duke bërë edhe komente fyese dhe nënçmuese për dëshmitarë ku emrat e tyre ishin në ato dokumente.
Me rastin e dorëzimit të dokumenteve në zyrën e OVL-UÇK, gjykatësi i DHSK kishte lëshuar urdhër për ndalimin e shpërndarjes së dokumenteve, por përkundër këtyre urdhrave të pandehurit vazhduan tu vinin në dispozicion gazetarëve informacione që përmbanin ato tre paketa të dokumenteve. Këto paketa përmbanin informacione të ndjeshme siç janë: kërkesa për ndihmë që Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) i kishte dërguar autoriteteve kompetente serbe, kërkesa të cilat përmbanin emra dhe të dhëna personale të qindra dëshmitarëve, përgjigje të prokurorisë serbe të krimeve të luftës ndaj kërkesave të TFHS dhe një produkt i materialit të brendshëm të punës së ZPS ku analizoheshin provat dhe aspektet ligjore të ndërlidhura me pesë (5) persona të dyshuar nga ZPS i cili po ashtu përmbante emrat e njëqind e pesëdhjetë (150) dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm. Trupi gjykues u bind se materiali në fjalë ishte autentik dhe u përkiste dokumenteve të hetimeve të TFHS ose ZPS dhe ky material ishte trajtuar si konfidencial nga TFHS dhe ZPS.
Sipas gjykatës të akuzuarit i trajtuan me përbuzje dhe fyerje ata që zgjodhën të bashkëpunonin me këtë gjykatë në kërkim të së vërtetës dhe u shprehën në një mënyrë që mund të kishte vetëm synim që ti bindte ata që të mos i jepnin asnjë informacion tjetër ZPS e as të dëshmonin në ndonjë gjykim të ardhshëm. Sjellja e të akuzuarve ndikoi në një numër të madh njerëzish dhe shkaktoi frikë dhe shqetësim te disa prej tyre. Të akuzuarit nuk treguan shqetësim për pasojat e mundshme të veprimeve të tyre. Ata vepruan në mënyrë flagrante, haptazi pa bërë dallime dhe duke shpërfillur sundimin e ligjit apo autoritetin e kësaj gjykate.
Gjykata konstatoi se ky aktgjykim përshkruan qartë ato veprime që janë kriminale dhe jo patriotike, kërcënim për drejtësi dhe jo të udhëhequra nga interesi publik.
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) e konsideron të bazuar vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe kërkon që hetimet të zgjerohen edhe ndaj personave prej të cilëve kanë rrjedhur këto materiale. Veprimet e tilla duhet të parandalohen pasi që e rrezikojnë sigurinë e dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre, ndikojnë në zvogëlimin e besimit dhe kredibilitetit të DHSK dhe mund të kenë ndikim tek dëshmitarët që të ndërprenë bashkëpunimin me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (DHSK&ZPS).
Dëshmitarët dhe viktimat në procedurën penale duhet të ndjehen të sigurtë që të dëshmojnë pranë organeve të drejtësisë mbi ato se çfarë dinë apo çfarë kanë përjetuar me qëllim të ndriçimit të së vërtetës dhe arritjen e drejtësisë. Ky vendim duhet të krijojë një ambient të sigurt për dëshmitarët dhe viktimat si dhe mund të ndikojë në vetëdijesimin e personave të cilët potencialisht mund ta pengojnë administrimin e drejtësisë.
Të pandehurit janë arrestuar me 25 shtator 2020 në Prishtinë. Në momentin e arrestimit të pandehurit kanë pasur pozitën e kryetarit dhe zëvendës kryetarit në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Aktakuza kundër dy të akuzuarve u konfirmuara në datën 11 dhjetor të vitit 2020 dhe më pas e njëjta është korrigjuar me datën 5 korrik të vitit 2021. Sipas aktakuzës, midis datave 7 dhe 25 shtator të vitit 2020, në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të DHSK. Këto informacione përmbanin edhe të dhëna identifikuese të dëshmitarëve (të mundshëm), ku edhe bënë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar punën e DHSK.
Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar me fjalët hyrëse të prokurorisë në datën 7 tetor të vitit 2021 dhe janë mbajtur tridhjetë e një (31) seanca të shqyrtimit kryesor. Gjatë shqyrtimit kryesor janë dëgjuar katër (4) dëshmitarë të propozuar nga prokuroria si dhe tetë (8) dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja. Të pandehurit që nga arrestimi i tyre kanë qëndruar në paraburgim.