Press release

Ish-polici serb lirohet nga akuzat për krime të luftës në njërën prej aktakuzave kundër tij

18.05.2018, 19:36

Paneli shqyrtues ndërkombëtar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë/Mitrovica, me të cilin ka kryesuar gjyqtari Dariusz Sielicki[1], pas shqyrtimit kryesor në lëndën Prokurori kundër Zoran Vukotiqit (Vukotiqi II) të ngritur me aktakuzën e Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës të datës 16 maj të vitit 2017 (09/2014), e ka liruar të akuzuarin Vukotiq nga akuzat për krime të luftës kundër popullatës civile[2] sipas tri pikave, duke e hedhur aktakuzën sipas së cilës ky ish rezervist i policisë serbe i ka vrarë katër shqiptarë si dhe i ka keqtrajtuar dhe plaçkitur civilët e tjerë shqiptarë.

 

Të akuzuarit Vukotiq aktakuza ia ka vënë në barrë se:

 

– në bashkëkryerje me kryerës të identifikuar[3], gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, në datën 5 maj të vitit 1999, në Vushtrri/Vučitrn (Rruga Emin Duraku, tash Rruga Haxhi Zeka), në cilësi të rezervistit të policisë serbe, me armë të zjarrit i ka privuar nga jeta katër civil shqiptarë: Enver Rrustollin, Hamdi Fazliun, Abdullah Fazliun dhe Fahredin Fazliun;

 

– fizikisht i ka keqtrajtuar dhe e ka cenuar integritetin trupor si dhe shëndetin fizik dhe mendor të civilëve të mposhtëm: Sanije Fazliu, Fikrije Shaqiri, Vehbi Xhema, Zejnepe Xhema, Nexhmi Xhema, Besart Xhema, Zelihe Xhema, Behare Pllana, Luljete Rashica, Gani Maxherra, Halim Maxherra, Gazmend Shabani, Ahmet Sahiti, Skender Shabani, Bejtë Osmani, Shukrije Osmani dhe Faik Musa;

 

– ka marrë shuma të mëdha të të hollave, stoli dhe gjëra të tjera me vlerë nga civilët: Vehbi, Nexhmi dhe Zejnepe Xhema, Bejtë dhe Shukrije Osmani, Beqir, Ukshin dhe Faik Musa.

 

Palët e pakënaqura e kanë të drejtën e ankesës në aktgjykim.

 

Gjatë kohës së zhvillimit të shqyrtimit kryesor, i akuzuari është gjendur në paraburgim në bazë të vendimit të sjellë në procedurën e cila kundër tij zhvillohet për një aktakuzë tjetër. Procedura penale për këtë aktakuzë është në fazën përfundimtare dhe deri në fund të këtij muaji pritet shpallja e aktgjykimit të panelit shqyrtues.

 

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) në mënyrë të rregullt e ka përcjellë këtë gjykim gjatë gjithë rrjedhës së tij.

 

Hetimet zyrtare, të cilat Prokuroria Speciale i ka nisur në datën 30 maj të vitit 2014 në lidhje me akuzat e cekura, për shkak se i akuzuari nuk ka qenë i qasshëm për organet e ndjekjes së Kosovës, disa herë janë ndërprerë dhe prapë kanë filluar. Vetëm pas burgosjes së Vukotiqit në Mal të Zi dhe dorëzimit të tij te organet kosovare të ndjekjes (pas sigurimit të pajtueshmërisë për zhvillimin e procedurës kundër të akuzuarit të datës 8 mars të vitit 2017), janë zhvilluar hetimet në këtë lëndë dhe në datën 16 maj të të njëjtit vit është ngritur aktakuza, me të cilën të akuzuarit i janë vënë në barrë akuzat e cekura. Aktakuza është ngritur nga ekipi i përzier i prokurorëve (ndërkombëtar dhe vendor[4]) të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Gjatë shqyrtimit kryesor aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori ndërkombëtar Paul Flynn, i cili nuk ka qenë autor i saj. Ky koordinim ndërmjet prokurorëve vendor dhe ndërkombëtar është zhvilluar pas fillimit të bartjes së kompetencave të EULEX-it tek bartësit vendor të funksioneve të gjyqësorit.

 

Pas përfundimit pozitiv të procedurës së vlerësimit të aktakuzës, shqyrtimi kryesor në lëndën Prokurori kundër Zoran Vukotiqit është hapur në datën 11 janar të vitit 2018. Sipas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, shqyrtimi është zhvilluar para panelit shqyrtues ndërkombëtar. Shqyrtimi ka qenë i hapur për publikun. Gjatë rrjedhës së tij janë dëgjuar nëntëmbëdhjetë (19) dëshmitarë të propozuar nga ana e prokurorisë. Një dëshmitar i prokurorisë ka qenë sipas detyrës zyrtare prapë i ftuar nga ana e trupit gjykues për të shprehur qartësime të caktuara. Me propozim të mbrojtjes, është dëgjuar vetëm një dëshmitar. Ky dëshmitar ka qenë i propozuar nga ana e prokurorisë si dëshmitar, por gjatë procedurës ai ka hequr dorë nga deklarata e tij. Të gjithë dëshmitarët kanë dëshmuar publikisht. Gjatë shqyrtimit, i akuzuari e ka paraqitur mbrojtjen e tij para panelit shqyrtues, kurse palët në procedurë i kanë paraqitur argumentet e tyre përfundimtare.

 

 

 

Arsyetimi i aktgjykimit, me të cilin i akuzuari lirohet nga aktakuza

Në arsyetimin e aktgjykimit, me të cilin i akuzuari lirohet nga akuza, kryetari i panelit e ka theksuar se me prova nuk është konfirmuar jashtë çdo dyshimi përgjegjësia e të akuzuarit, gjë që, sipas tij, është parimi fundamental i çdo sistemi të civilizuar gjyqësor. Sipas tij, paneli shqyrtues në bazë të provave të paraqitura ka vërtetuar jashtë çdo dyshimi se krimi çnjerëzor, të cilin aktakuza ia ka vënë në barrë Vukotiqit, ka ndodhur në datën 5 maj të vitit 1999, por se ekzistojnë dyshime të mëdha në lidhje me identitetin e të akuzuarit. Sipas gjykatës, gjendja jobindëse faktike në lidhje me përgjegjësinë eventuale të të akuzuarit ka ardhur si rezultat i dëshmive, të cilat dëshmitarët i kanë paraqitur para gjykatës. Sipas pikëpamjes së gjykatës, nuk ka ekzistuar qëllimi i dëshmitarëve për të mashtruar gjykatën si dhe as që t’i trillojnë faktet, por, prapëseprapë, në bazë të deklaratave të tyre është shfaqur dyshimi në identifikimin e tyre të kryerësit.

 

Një nga dëshmitarët, i cili të akuzuarin Vukotiq si dhe babanë e tij i ka njohur para konfliktit në Kosovë, para panelit ka vërtetuar se i akuzuari në ditën kritike nuk ka qenë në vendin e ngjarjes. Qëllimi i dëshmitarit nuk ka qenë që të sigurojë alibi për të akuzuarin, sepse, po ashtu, ai ka folur për veprime të tjera të paligjshme të të akuzuarit në qytet gjatë periudhës kritike. Ky dëshmitar është dëgjuar në mënyrë të hollësishme nga ana e gjykatës. Ai, para panelit, e ka konfirmuar deklaratën e tij të mëhershme, e cila ka pasur të bëjë me veprën tmerruese të vrasjes së katërfishtë të civilëve.

 

Në mbështetje të vendimit, me të cilin i akuzuari lirohet nga akuzat, gjykata ka paraqitur disa kontradikta në deklaratat e dëshmitarëve të tjerë, të cilat i kanë kontribuuar refuzimit të akuzave që i janë vënë në barrë Vukotiqit. Gjykata nuk i ka pranuar si të bindshme pohimet e një dëshmitari të akuzës se të akuzuarin e ka njohur nga shkolla fillore, duke qenë se dallimi në vite midis tyre ka qenë pesë (5) vite. Gjykata po ashtu nuk i ka pranuar si të bazuara pohimet e këtij dëshmitari se të akuzuarin e ka njohur para konfliktit të armatosur, se e ka parë në qytetin në të cilin së bashku kanë jetuar si dhe mundësinë se atë e ka parë në qebaptoren e tij, sepse, sipas gjykatës, dëshmitari tjetër në ditën kritike e ka parë drejtpërdrejt në shtëpinë e Fazliut kryerësin e krimit para krimit në shtëpinë e tij, nga një afërsi e madhe, duke pohuar se kryerësi nuk është Vukotiqi.

 

Vlerësimi i FDH Kosovë

Përshtypja e FDH Kosovë është se dëshmitarët para gjykatës e kanë paraqitur në mënyrë koherente ngjarjen, por se ka pasur mospajtime në deklaratat e tyre. Kjo, kur të merret parasysh periudha kohore e cila ka kaluar nga ngjarja kritike, nuk është e pazakonshme.

 

FDH Kosovë e ka vërejtur se në deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar gjatë shqyrtimit kryesor ekzistojnë disa shmangie të caktuara në lidhje me të njëjtën ngjarje si edhe se në deklaratat e një dëshmitari kur ato krahasohen në faza të ndryshme të procedurës. Dëshmitarët e dëgjuar gjatë shqyrtimit kryesor kryesisht kanë qenë edhe viktima të krimit traumatik, i cili ka ndodhur në datën 5 maj të vitit 1999. Disa prej tyre edhe sot i vuajnë pasojat e krimit, gjë që sipas të gjitha gjasave ka pasur ndikim në perceptimin e tyre të ngjarjes, të cilën personalisht e kanë mbijetuar.

 

Në fund të gjykimit të shkallës së parë, gjykata në mënyrë të pakundërshtueshme ka konstatuar se krimi ka ndodhur në datën pesë maj të vitit 1999, por nuk ka ia ka dalë të vërtetojë përgjegjësinë për atë krim. Kështu, ka mbetur e pandriçuar një ngjarje tmerruese në shtëpinë e familjes Fazliu, përkatësisht në dhomën e çiftit të ri martesor, që ishte në pritje të një fëmije. Gjatë ngjarjes kritike, njëri anëtar i çiftit martesor si dhe dy anëtarë të tjerë të familjes janë privuar nga jeta, si dhe fqinji i tyre, i cili në atë moment kishte shkuar në shtëpinë e tyre me qëllim që kryerësve t’iu ofroj para në këmbim të jetëve njerëzore të fqinjëve të tyre dhe që t’i shpëtoj nga vdekja e sigurt. Përgjegjësia nuk është vërtetuar as edhe lidhur me keqtrajtimin dhe plaçkitjen e një numri të madh të civilëve shqiptar. Pothuajse dy dhjetëvjetësha pas kryerjes së krimit, ngaqë kujtesa zbehet dhe zhduket, shtrohet pyetja nëse drejtësia ndonjëherë do të jetë e kënaqur në këtë rast. Porosi inkurajuese nuk iu është dërguar as familjeve të viktimave, sepse ato vështirë se mund të llogarisin se ndonjëherë do ta realizojnë të drejtën e tyre në drejtësi.

 

Pyetja e cila tash për tash mbetet e pa përgjigje, por të cilën duhet ta zgjidh gjykata e shkallës së dytë, është nëse paneli shqyrtues i Gjykatës Themelore në Mitrovicë/Mitrovica ka mundur për të sjellë vendim tjetër në bazë të provave ekzistuese? Çështje dhe dilemë edhe më e rëndësishme, e cila shtrohet pas përfundimit të gjykimit të shkallës së parë, është nëse organet e hetuesisë kanë mundur më mirë për të zhvilluar procedurën hetimore, të sigurojnë më shumë prova në bazë të të cilave gjykata do të mundte jashtë çdo dyshimi për të vërtetuar se kush është kryerës i këtij krimi të tmerrshëm ose të vërtetojnë qysh gjatë hetimeve se ekzistojnë kontradikta midis deklaratave, përkatësisht deklaratave të dëshmitarëve rreth fajësisë eventuale të Vukotiqit. Sepse, prapëseprapë, vendi i krimit ndodhet në një qytet të vogël ku secili e njeh secilin dhe ku e pakta identifikimi autentik nuk do të duhej të përbënte problem për hetimet.

 

FDH Kosovë vlerëson se paneli shqyrtues ndërkombëtar e ka zhvilluar në mënyrë profesionale procedurën, duke respektuar standardet e gjykimit të ndershëm e të drejtë. Palëve në procedurë iu është mundësuar shfrytëzimi i të drejtave të tyre të parapara me Ligjin mbi Procedurën Penale. Po ashtu, për lëvdatë është edhe fakti që gjykata ka pasur një rol aktiv në qartësimin e rrethanave specifike ose në qartësimin e paqartësive.

 

FDH Kosovë e përshëndet shembullin pozitiv të ndihmës juridike ndërkombëtare, e cila në këtë rast është realizuar midis organeve të gjyqësorit të Kosovës dhe të Malit të Zi. Në interes të drejtësisë, bashkëpunimi i këtij lloji është i domosdoshëm midis Kosovës dhe Serbisë. Për shembull, provat e paraqitura gjatë kësaj procedure qartazi kanë treguar drejt një kryerësi tjetër të mundshëm të krimit të datës 5 maj të vitit 1999, por ai për momentin nuk është i qasshëm për organet e gjyqësorit të Kosovës, kurse gjasat janë të mëdha se ai ndodhet në Serbi. Viktimat, përkatësisht familjet e tyre, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare, meritojnë të marrin përgjigje lidhur me atë se kush është përgjegjës për vuajtjet dhe pësimet e tyre.

[1] Anëtarët e panelit shqyrtes, gjyqtarët Arnout Louter dhe Radostin Petrov.

[2] Të parapara dhe të dënueshme me nenin 142 në lidhje me paragrafin 22 të LP të RSFJ-së, në mënyrë analoge me nenin e përbashkët 3(1a) të Konventave të Gjenevës, po ashtu të parapara me nenet 152 (paragrafët 1 dhe 2.1) dhe 153. (paragrafi 1, në lidhje me paragrafin 2, në lidhje me nenin 31) të LPRK.

[3] Nuk është i qasshëm për organet e ndjekjes të Kosovës.

[4] Charles Hardaway dhe Elez Blakaj.