Në Gjykatën Themelore në Pejë, në datën 08 mars të vitit 2019, trupi gjykues vendorë i kryesuar nga gjyqtari Kreshnik Radoniqi, e ka liruar të akuzuarin Millorad Zajiq (Milorad Zajić) për krimet e luftës kundër popullatës civile shqiptare të kryera gjatë periudhës kohore qershor-korrik të vitit 1998 në fshatin Dush/Duš, komuna e Klinës/Klina.
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë i ka monitoruar të gjitha seancat në këtë rast. Trupi gjykues ka aplikuar standarde të larta të gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, duke i vlerësuar në mënyrë objektive provat e paraqitura nga palët gjatë shqyrtimit kryesor.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në datën 25 korrik të vitit 2018 e ka ngritur aktakuzën kundër të akuzuarit Zajiq, me pretendime se i njëjti ka marr pjesë në sulmet dhe ofensivat kundër popullatës civile shqiptare, të cilat janë ndërmarrë nga forcat serbe, në atë mënyrë që i pandehuri, së bashku me persona tjerë NN, e ka përgatitur shtëpinë e tij në fshatin Dush/Duš për sulme që do të ndërmerreshin ndaj popullatës civile. Sipas aktakuzës, i njëjti është parë i veshur me uniformë duke shkarkuar armatim tek shtëpia e tij në fshatin Dush/Duš nga vetura e tij private. Gjithashtu është parë duke shtënë në drejtim të fshatit ku ishte popullata e pa mbrojtur shqiptare, e cila ishte e detyruar të largohet nga fshati. Në fjalën përfundimtare, prokurorja Habibe Salihi e ka ri kualifikuar veprën penale, ku tani të akuzuarin nuk e ngarkon për sulm ndaj popullatës civile, por e akuzon për organizim të grupit dhe nxitje për të kryer gjenocid dhe krime të luftës nga neni 145 i Ligjit Penal të RSFJ-së, e parashikuar me nenin 160, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjatë shqyrtimit kryesor janë dëgjuar njëmbëdhjetë (11) dëshmitarë të propozuar nga prokuroria, të cilat kanë dëshmuar për ngjarjet të cilat kanë ndodhur në fshatin Dush/Duš gjatë muajit qershor dhe korrik të vitit 1998.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka theksuar se deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar në shqyrtimin kryesor kanë qenë kundërthënëse mes vete lidhur me rolin e të pandehurit në këto sulme, madje një dëshmitar i vetëm ka dhënë disa deklarata kundërthënëse për të njëjtën ngjarje.