Një ekspozitë e re mbi bombardimin e zonës së Portës së Tuzlës në qytetin e Tuzlës në Bosnjë, në të cilin u vranë më shumë se 70 njerëz në maj 1995, do të qëndrojë hapur deri të martën në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor në Beograd.
Të ekspozuara në ekspozitën e titulluar “Edhe kur të dhemb, e vërteta është kura”, janë 42 prova dhe dokumente të tjera nga gjyqi i gjeneralit serb të Bosnjës Novak Djukiç, i cili u dënua nga gjykata e shtetit e Bosnjës për urdhërimin e bombardimeve, por që aktualisht është i lirë në Serbi.
Në të është e ekspozuar edhe një banderolë e madhe me emrat e të gjithë atyre që u vranë gjatë sulmit nga forcat serbe të Bosnjës.
“Kjo ekspozitë ishte përgatitur për vite me radhë dhe ishte planifikuar të hapej në përvjetorin e masakrës së Portës së Tuzlës më 25 maj të këtij viti, por koronavirusi i shtyu të gjitha”, tha për BIRN Sinan Aliç, kreu i fondacionit E Vërteta, Drejtësia, Pajtimi nga Tuzla.
Në hapjen e ekspozitës të premten, një i djathtë serb u përpoq të protestonte duke bërtitur se sulmi ndaj Tuzlës ishte i sajuar, por shumë shpejt u largua pa e prishur eventin.
Pas Beogradit, në muajt në vazhdim, ekspozita do të udhëtojë edhe në qytete të tjera në të gjithë ish-Jugosllavinë, me synimin për të informuar njerëzit për atë që ndodhi në Tuzla në vitin 1995, tha Aliç.
“Në këtë mënyrë, ne duam të inkurajojmë organizata të tjera që t’u tregojnë njerëzve se çfarë ka ndodhur në këtë zonë duke treguar të vërtetën për krimet – siç po bëjmë ne për rastin e Portës së Tuzlës. Kjo është mënyra e vetme për të arritur një proces pajtimi”, shtoi ai.
Lexoni artikullin e plotë: https://balkaninsight.com/2020/10/12/ekspozohen-ne-beograd-prova-nga-gjyqi-i-gjeneralit-qe-urdheroi-masakren-e-tuzles/?lang=sq