Me datë 26 mars 2018, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) Kosovë publikoi raportin vjetor të titulluar: “Gjykimet për krimet e luftës – çka më tutje?”. Ky raport është rezultat i monitorimit të gjykimeve për krimet e luftës dhe veprave me prapavijë politike dhe etnike të cilat janë proceduar pranë gjykatave të Kosovës gjatë vitit 2017. Raporti përmban analizat e rasteve të monitoruara brenda këtij viti si dhe rekomandimet për institucionet relevante.
Me rastin e publikimit të raportit është organizuar tryeza e rrumbullakët ku është diskutuar mbi temën Gjykimet për krimet e luftës – çka më tutje?
Panelistë në këtë tryeze ishin ministri i Drejtësisë, z Abelard Tahiri; ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Ruairi O’ Connell; kryetar i Gjykatës Supreme, z. Enver Peci; udhëheqësja e Sektorit Ekzekutiv të EULEX-it znj. Katja Dominik; prokurorja Speciale e PSRK-së, znj. Drita Hajdari dhe koordinatori i tranzicionit në kuadër të zyrës së BE-së në Kosovë, Lukasz Korecki.
Diskutimet e panelistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë nga gjyqësori kosovar dhe shoqërisë civile kryesisht i kanë mirëpritur rekomandimet e FDH Kosovë të cilat janë paraqitur në dy raportet e fundit. Po ashtu ata kanë treguar rezultatet dhe hapat të cilat i kanë ndërmarrë institucionet e tyre përkatëse në procesuimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Koordinatorja e projektit dhe autorja e këtij raporti, znj. Anka Kurteshi Hajdari tha se rekomandimet e FDH Kosovës kanë për qëllimin avancimin e sistemit të pushtetit të ligjit, përndjekjes më efikase të krimeve të luftës, vendosjes së llogari-dhënies dhe çrrënjosjes së klimës së jo-ndëshkueshmerisë. Vetë titulli i raportit ‘Gjykimet për krimet e luftës – çka më tutje?’ nuk është përzgjedhur rastësisht, pasi që nga mesi i këtij vitit sipas të gjitha gjasave, gjyqësori vendor për të parën herë në historinë moderne të Kosovës do ti merr përsipër kompetenca të plota për përndjekjen e krimeve të luftës dhe krimeve të tjera të rënda. Prokurorët dhe gjykatësit vendor do të marrin rolet që deri më tani i kishin së pari ata të UNMIK-ut, dhe tani ata të EULEX-it.
Disa prej rekomandimeve kryesore të këtij raporti janë: përpilimi i strategjisë për ndjekjen penale të krimeve të luftës; profilizimi i gjyqtarëve dhe krijimi i departamentit të posaçëm për krime lufte; rritja e numrit të prokurorëve që merren me hetimin e krimeve të luftës; vendosja e “dëshmitarit armiqësor” në Kodin Penal të Kosovës; vendosja e bashkëpunimit juridik reciprok me shtetin e Serbisë etj.
FDH Kosovë konsideron se do të jetë shumë sfiduese për gjykatësit dhe prokurorët vendor që përnjëherë nga pozita e bashkë-udhëtarit të kalojnë në pozitën e drejtuesit të makinës.